Një person humbi jetën, ndërsa katër të tjerë u plagosën gjatë një sulmi me dron të ushtrisë izraelite në pjesën jugore të Libanit.
Ministria e Shëndetësisë konfirmoi plagosjet, ndërsa zyrtarët e sigurisë bëjnë me dije se viktima ishte anëtar i Hezbollahut.
Ky incident ngre shqetësime për një përshkallëzim të mundshëm të konfliktit të armatosur mes Izraelit dhe Libanit. Këshilli Ministror i Libanit pritet të mblidhet të martën, ku në fokus do të jetë çështja e çarmatimit të Hezbollahut. Lëvizja e mbështetur nga Irani ka refuzuar deri më tani çdo marrëveshje që përfshin një afat kohor për dorëzimin e armëve.
Megjithë armëpushimin e hyrë në fuqi më 27 nëntor, pas një viti të gjatë përplasjeve, përfshirë dy muaj lufte të hapur që dobësuan ndjeshëm Hezbollahun, ushtria izraelite vazhdon të kryejë sulme të rregullta në jug të Libanit.
Izraeli argumenton se sulmet janë të drejtuara kundër Hezbollahut dhe akuzon autoritetet libaneze për mosveprim në çarmatimin e kësaj lëvizjeje shiite. Nga ana tjetër, Hezbollahu ka deklaruar se nuk do të pranojë asnjë kërkesë për dorëzimin e armëve derisa sulmet izraelite të vazhdojnë.
Marrëveshja e armëpushimit parashikonte gjithashtu tërheqjen e plotë të forcave izraelite nga Libani, por ato vazhdojnë të mbajnë pozicione në pesë pika strategjike në jug të vendit.
© SYRI.net