SHBA/ Trump paralajmëron ndërprerjen e fondeve për shtetet që bojkotojnë kompanitë izraelite

SHBA/ Trump paralajmëron ndërprerjen e fondeve për shtetet që bojkotojnë kompanitë izraelite

19:26, 04/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Administrata Trump në SHBA ka paralajmëruar shtetet dhe qytetet amerikane se nuk do të marrin financime për përgatitje ndaj fatkeqësive natyrore nëse zgjedhin të bojkotojnë kompanitë izraelite.

Shtetet duhet të konfirmojnë se nuk do të ndërpresin marrëdhënie tregtare specifikisht me biznese izraelite, për të përfituar fonde nga Agjencia Federale për Menaxhimin e Emergjencave (FEMA), sipas kushteve që kjo agjenci u ka vendosur përfituesve.

Ky kusht prek të paktën 1.9 miliardë dollarë, mbi të cilat shtetet mbështeten për të mbuluar shpenzime si pajisje për kërkim-shpëtim, paga të jashtëzakonshme për drejtuesit e emergjencave dhe sisteme rezervë të furnizimit me energji elektrike, sipas 11 dokumenteve të grantit të siguruara nga agjencia e lajmeve Reuters.

Ky është shembulli më i fundit i mënyrës sesi administrata Trump po përdor fondet federale të përditshme për të shtyrë axhendën e saj politike në nivel shtetëror.

Në korrik, FEMA bëri të ditur se do t’u kërkojë shteteve amerikane të shpenzojnë një pjesë të fondeve federale për parandalimin e terrorizmit për të ndihmuar qeverinë federale në kapjen e emigrantëve, një përparësi kryesore e administratës Trump.

Kërkesa për mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj Izraelit ka si objektiv lëvizjen ‘Boycott, Divestment and Sanction’s (BDS), një fushatë që synon të ushtrojë presion ekonomik ndaj Izraelit për t’i dhënë fund okupimit të territoreve palestineze.

Mbështetësit e kësaj lëvizjeje i rritën ndjeshëm zërat e tyre në vitin 2023, pas sulmit të Hamasit në Izraelin jugor dhe ndërhyrjes së mëvonshme të Izraelit në Rripin e Gazës.

“Departamenti i Sigurisë Kombëtare të SHBA do të zbatojë të gjithë ligjet dhe politikat kundër diskriminimit, përfshirë ato që lidhen me lëvizjen BDS, e cila është e bazuar shprehimisht në antisemitizëm”, deklaroi një zëdhënës i sekretares së Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco