Një aksident tragjik ndodhi mëngjesin e sotëm në Itali, në autostradën A1 mes Arezos dhe Firences, kur një kamion u përplas me automjete të ndaluara për shkak të trafikut të rënduar.
Nga përplasja e fuqishme humbën jetën tre persona dhe u plagosën 15 të tjerë.
Sipas Corriere della Sera, aksidenti ndodhi pak para orës 11 të mëngjesit dhe qarkullimi u ndërpre në të dy drejtimet e autostradës.
Sipas informacioneve të para, kamioni nuk arriti të frenonte dhe u përplas me radhë me disa mjete të tjera, mes tyre një tjetër kamion, një makinë me kamping, një autobus turistik dhe një ambulancë.
Ambulanca, e cila transportonte një pacient 75-vjeçar, u shkatërrua nga goditja. Nga përplasja vdiqën të tre personat që ndodheshin brenda: pacienti dhe dy punonjës të shërbimit mjekësor që ishin në pjesën e pasme të mjetit.
Në total, 15 persona mbetën të plagosur. Njëri prej tyre ndodhet në gjendje kritike në spitalin Careggi të Firences, katër janë me plagë më të rënda dhe të tjerët kanë lëndime të lehta.
Paolo Romaglioli, një avokat nga Arezo, ishte dëshmitar okular. Siç deklaroi, i shpëtoi për mrekulli aksidentit, pasi arriti të frenonte me kohë.
“Kamioni u përplas me një tjetër mjet të madh dhe ambulanca u shtyp plotësisht. Më pas shpërtheu zjarr, por disa shoferë arritën ta shuajnë para se të përhapej më tej”, tha ai.
© SYRI.net