Diplomacia nën hije/ Blogje seksi, akuza për ngacmim dhe skena të turpshme, rrëzimet e bujshme të disa ambasadorëve evropianë

Diplomacia nën hije/ Blogje seksi, akuza për ngacmim dhe skena të turpshme, rrëzimet e bujshme të disa ambasadorëve evropianë

15:38, 04/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dorëheqja tronditëse e ambasadorit të Austrisë në Bashkimin Evropian, Thomas Oberreiter, ka lënë Brukselin të shtangur, pikërisht në kohën kur zyrtarët dhe diplomatët po përgatiteshin për pushimet e shumëpritura verore.

Rasti i tij, që shpërtheu në titujt kryesorë të mediave, është vetëm një shembull nga një seri ngjarjesh ku sjelljet personale të diplomatëve kanë përfunduar me përjashtime, dorëheqje apo largime të detyruara nga detyra.

Thomas Oberreiter – blogeri erotik i padëshiruar

Ambasadori austriak Thomas Oberreiter, i cili kishte shërbyer në poste të rëndësishme në Evropë dhe Meksikë për më shumë se 30 vjet, u detyrua të dorëhiqej pas akuzave se ishte autor i një blogu anonim me përmbajtje seksuale të qartë, mizogjine dhe me skena të përshkruara si sulme seksuale, të shkruara në vetën e parë nga perspektiva e një gruaje. Pavarësisht mohimeve të tij të vazhdueshme, një hetim mediatik e lidhte drejtpërdrejt aktivitetin në blog me pajisje dhe IP të Ministrisë së Jashtme Austriake. Postimet në blog dyshohet se janë bërë gjatë orarit të punës dhe brenda ambienteve të një ndërtese zyrtare.

Dorëheqja e tij erdhi mes përhapjes së shpejtë të polemikës në Bruksel dhe heshtjes së vetë diplomatit, i cili nuk pranoi të komentojë më tej mbi ngjarjen.

Marta Kos – një rikthim i kontestuar në politikë

Marta Kos, ambasadore e Sllovenisë në Zvicër nga viti 2017 deri më 2020 dhe aktualisht Komisionere për Zgjerimin e BE-së që nga viti 2024, la postin e saj diplomatik mes polemikave. Dorëheqja e saj ndodhi pas akuzave për ngacmim dhe sjellje autoritare në vendin e punës. Ajo vetë e justifikoi largimin me “dallime në pikëpamje” për mënyrën e drejtimit të politikës së jashtme dhe ambasadës.

Një audit i brendshëm i Ministrisë së Jashtme sllovene, i kryer pas ankesave të stafit, përshkroi një klimë toksike pune nën drejtimin e saj. Megjithatë, rikthimi i Kos në skenën politike katër vjet më vonë, përmes një emërimi të rëndësishëm në Komisionin Evropian, ndezi sërish polemika – si në Slloveni ashtu edhe në Bruksel. Kritikët vunë në pikëpyetje stilin e saj të udhëheqjes dhe përshtatshmërinë për një detyrë të tillë të lartë. Madje, u rikthyen edhe akuzat e vjetra për lidhje të mundshme me policinë sekrete jugosllave, të cilat Kos i ka mohuar me vendosmëri.

Skandalet në Spanjë – nga gjumi në konferencë, te mbështetja për Mbretin

Në qershor të vitit 2025, ambasadori i Spanjës në Belgjikë, Alberto Antón, u shkarkua vetëm pesë muaj pasi u filmua duke fjetur gjatë një konference të madhe diplomatike në Madrid. Kamera e konferencës së përvitshme të ambasadorëve e kapte atë duke rënë në gjumë, ndërsa ministri i Jashtëm, José Manuel Albares, mbante një fjalim të rëndësishëm. Videoja u bë virale në rrjetet sociale dhe sipas mediave spanjolle, incidenti u përdor si justifikim për ta larguar Antónin nga detyra.

Në një letër të hapur, Antón u mbrojt duke thënë se nuk ishte mirë shëndetësisht dhe se kishte marrë antihistaminikë, duke e quajtur shkarkimin e tij një hakmarrje politike të ministrit Albares. Kritikët e qeverisë e panë këtë si pjesë e një spastrimi më të gjerë politik në diplomaci.

Vetëm pak muaj më herët, një tjetër ambasador spanjoll, Juan González-Barba – përfaqësues në Kroaci dhe ish-sekretar shteti për çështjet e BE-së – u shkarkua gjithashtu. Arsyeja? Një artikull opinioni në të cilin ai mbronte monarkinë parlamentare spanjolle dhe lavdëronte Mbretin Felipe VI. Ndonëse opinioni ishte i moderuar, publikimi i tij mjaftoi për të nxitur reagime të forta dhe përfundimisht për shkarkimin e tij.

Diplomacia finlandeze përballë akuzave për ngacmime

Skandale të ngjashme kanë prekur edhe trupin diplomatik të Finlandës. Jarmo Viinanen, ambasador në Suedi nga viti 2014 deri në 2016, u thirr në Helsinki pas raportimeve për ngacmime seksuale ndaj stafit dhe mysafirëve të ambasadës. Viinanen i hodhi poshtë akuzat, duke kritikuar ashpër mënyrën sesi Ministria e Jashtme e kishte trajtuar hetimin dhe duke e cilësuar gjithë procesin si të padrejtë dhe të menaxhuar keq. Ai tha se nuk i ishte dhënë asnjë shpjegim zyrtar dhe e konsideroi largimin si një padrejtësi personale.

Edhe ambasadori tjetër finlandez, Jari Vilén, i emëruar në Kanada në shtator 2023, dha dorëheqjen vetëm një vit më pas. Shkaku: akuza për sjellje të papërshtatshme, përfshirë kontakte fizike të padëshiruara me stafin. Edhe pse nuk u shkarkua formalisht, një hetim i brendshëm i Ministrisë arriti në përfundimin se veprimet e tij përbënin ngacmim seksual. Vilén i mohoi akuzat, por u kthye në Helsinki për të vazhduar punën në Ministrinë e Jashtme.

Këto ngjarje, që përfshijnë diplomatë nga vende të ndryshme evropiane, tregojnë qartë se diplomacia nuk është gjithmonë vetëm protokoll dhe uniformë. Pas dyerve të mbyllura të ambasadave dhe sallave të bisedimeve ndodhin ngjarje që shpesh nuk i përshtaten as etikës dhe as ligjit. Nga skandalet seksuale te dështimet politike e personale, këto raste janë dëshmi e faktit se askush nuk është imun ndaj përgjegjësisë – as ata që përfaqësojnë vendet e tyre në skenën ndërkombëtare.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco