Portugali/ Zjarret përfshijnë vendin, zjarrfikësit 'të rraskapitur' në ditën e dytë të gjendjes së gatishmërisë

Portugali/ Zjarret përfshijnë vendin, zjarrfikësit 'të rraskapitur' në ditën e dytë të gjendjes së gatishmërisë

12:49, 04/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Portugalia është futur në ditën e dytë të gjendjes së gatishmërisë për shkak të temperaturave ekstreme dhe rrezikut të lartë nga zjarret, me 32 vatra aktive në të gjithë vendin dhe mbi 1.600 zjarrfikës të angazhuar në terren.

Në qendër të situatës ndodhet distrikti i Vila Real, në veri të vendit, ku ndodhen të paktën pesë zjarre aktive. Katër prej tyre po vihen nën kontroll, por zjarri në Sirarelhos mbetet shqetësues pasi është përhapur në tre famulli të ndryshme: Pena, Quintã dhe Vila Cova. Të hënën në mëngjes, Vila Real kishte numrin më të madh të forcave të angazhuara: 364 zjarrfikës dhe 121 mjete tokësore.

Në këtë zonë u arrestua edhe një burrë i dyshuar për zjarrvënie të qëllimshme, pas sinjalizimit nga banorët lokalë që e kishin parë pranë zonave të përfshira nga flakët. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë e zjarreve të qëllimshme, pasi janë regjistruar ndezje të njëpasnjëshme në vende të ndryshme dhe në kohë të ndryshme.

“Ka shumë njerëz në terren, por janë veçanërisht të rraskapitur”, deklaroi Alexandre Favaios për mediat, duke paralajmëruar për një natë të vështirë për zjarrfikësit. Sipas tij, nevojiten forca të freskëta dhe më të përgatitura për ta përballuar situatën.

Përveç Vila Realit, situata është kritike edhe në Ponto da Barca dhe Celorico de Bastos, ku gjithashtu po ndërhyjnë mbi 300 zjarrfikës për secilin zjarr.

Ndërkohë, vendimi i Komitetit të Festivalit në Marinhais për të hedhur fishekzjarrë pavarësisht ndalimit të përkohshëm, ka shkaktuar polemika të forta. Fishekzjarrët u lëshuan vetëm gjysmë ore para se të hynte në fuqi ndalimi dhe pak më vonë u raportuan pesë vatra zjarri pranë zonës, të cilat u shuan nga brigada e zjarrfikësve Salvaterra de Magos.

Gjendja e gatishmërisë pritet të zgjasë deri të enjten, duke imponuar kufizime për udhëtimet në zonat pyjore, përdorimin e makinerive dhe lëshimin e fishekzjarrëve.

Instituti Portugez për Detin dhe Atmosferën (IPMA) ka lëshuar paralajmërime të kuqe për veriun e vendit dhe portokalli për pjesën tjetër, me temperaturat që pritet të shkojnë deri në 40°C gjatë ditës së sotme. Autoritetet vijojnë të bëjnë thirrje për kujdes dhe bashkëpunim maksimal nga qytetarët.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco