Pothuajse 49% e qytetarëve polakë mendojnë se kryeministri Donald Tusk duhet të japë dorëheqjen, sipas një sondazhi të fundit të realizuar nga United Surveys për faqen polake të lajmeve Wirtualna Polska. Rezultatet vijnë vetëm pak ditë para inaugurimit të presidentit të zgjedhur Karol Nawrocki, i cili do të marrë zyrtarisht detyrën më 6 gusht.
Sipas sondazhit, 48.6% e të anketuarve besojnë se Tusk duhet të largohet nga posti i Kryeministrit, ndërsa 43.8% preferojnë që ai të vazhdojë në detyrë. Vetëm 7.6% u shprehën të pavendosur ose refuzuan të japin një përgjigje. Qëndrimet e publikut rezultojnë të jenë të ndara në mënyrë të dukshme sipas bindjeve politike.
Mbështetësit e koalicionit qeverisës, që përfshin Platformën Qytetare, të Majtën, Partinë Popullore Polake dhe Poloninë 2050, shprehen në masë të madhe kundër dorëheqjes së Tuskut, me 85% të tyre që mbështesin qëndrimin e tij. Ndërkohë, rreth 80% e votuesve të opozitës konservatore, përfshirë Ligj dhe Drejtësi si dhe Konfederatën e ekstremit të djathtë, kërkojnë largimin e tij.
Tusk është përballur me presion në rritje që pas fitores së Karol Nawrockit në zgjedhjet presidenciale të qershorit, ku kandidati i mbështetur nga opozita mposhti Rafal Trzaskowskin, anëtar i Platformës Qytetare. Përballë sfidave të reja, Tusk kërkoi një votëbesim më 11 korrik, duke e pranuar publikisht se qeveria e tij po përballet me vështirësi të mëdha pas ndryshimit të balancës politike në vend.
Në fund të korrikut, Kryeministri kreu një riorganizim të thellë të kabinetit, duke zëvendësuar disa ministra kyç, në përpjekje për të konsoliduar pozitat e qeverisë. Megjithatë, kritikat ndaj tij vijojnë, sidomos për dështimet në përmbushjen e disa prej premtimeve zgjedhore, si liberalizimi i të drejtave të abortit dhe legalizimi i partneriteteve civile për çiftet LGBT+, çështje për të cilat koalicioni nuk ka pasur një qëndrim të unifikuar.
Edhe nëse ndonjë marrëveshje e brendshme arrihet, pengesa e radhës për qeverinë e Tusk mbetet presidenti i ri. Nawrocki pritet të përdorë të drejtën e vetos për të ndalur reformat progresiste të qeverisë. Kjo e bën të vështirë funksionimin e koalicionit dhe ngre pikëpyetje për të ardhmen politike të Kryeministrit.
© SYRI.net