Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

Trump shkarkon drejtoren kryesore të të dhënave ekonomike ndërsa tarifat shkaktojnë rënie të tregjeve: Manipuloi...

Trump shkarkon drejtoren kryesore të të dhënave ekonomike ndërsa tarifat shkaktojnë rënie të tregjeve: Manipuloi...

16:41, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, shkarkoi drejtuesen e një prej institucioneve më të rëndësishme ekonomike end vetëm disa orë pasi të dhënat zhgënjyese për punësimin shtuan shqetësimet për politikat e tij tarifore.

Në rrjetet sociale, Trump akuzoi Erika McEntarfer, komisioneren e Byrosë së Statistikave të Punës (BLS), se kishte “MANIPULUAR” shifrat për punësimin “për t’i bërë Republikanët dhe MUA të dukemi keq”.

Lëvizja e paprecedentë nga Shtëpia e Bardhë shkaktoi akuza se Trump po rrezikon të shkatërrojë besimin publik duke politizuar të dhënat ekonomike.

Kreu i pakicës në Senat, Chuck Schumer, e quajti presidentin “një udhëheqës të keq” që “e fajëson lajmëtarin për statistikat negative”.

Tregjet amerikane u tronditën të premten pasi Trump vazhdoi me planet e tij për të rritur tarifat ndaj mallrave të importuara nga vende të ndryshme të botës.

Më pas, BLS publikoi të dhëna që tregonin se në korrik ishin shtuar vetëm 73,000 vende pune në SHBA, shumë më pak se parashikimi prej 109,000. Gjithashtu, u rishikuan ulje edhe për muajt maj dhe qershor me 250,000 vende pune më pak sesa raportuar më parë.

Trump këmbënguli: “Ekonomia është NË BUM nën “TRUMP”-in.”

Por Heather Long, kryeekonomiste në Navy Federal Credit Union, e cilësoi raportin për punësimin si “ndryshim loje”, duke shtuar se “tregu i punës po përkeqësohet me shpejtësi” për shkak të pasigurisë që sjellin tarifat e Trump-it.

Presidenti ka hedhur poshtë shqetësimet për planet e tij tarifore, duke thënë se ato do të nxisin prodhimin amerikan dhe do të rivendosin balancën e tregtisë globale. Por të dhënat ekonomike të kësaj jave, së bashku me raportet nga kompanitë për kostot e larta të tarifave, e bëjnë gjithnjë e më të vështirë injorimin e pasojave.

Ish-sekretari i Thesarit të SHBA, Larry Summers, komentoi: “Të shkarkosh drejtuesen e një agjencie qeveritare thjesht sepse nuk të pëlqejnë shifrat që ajo raporton – të mbledhura përmes metodash të vendosura ndër vite ndodh në shtete autoritare, jo në demokraci.”

Grupi “Miqtë e BLS”, ku bëjnë pjesë edhe dy ish-komisionerë të agjencisë, deklaroi: “Kur udhëheqës të vendeve të tjera kanë politizuar të dhënat ekonomike, ata kanë shkatërruar besimin e publikut tek statistikat zyrtare dhe shkenca qeveritare.”

McEntarfer e cilësoi detyrën si “nderin e jetës sime”, ndërsa punën e BLS e përshkroi si “thelbësore dhe të rëndësishme”.

Treguesit kryesorë të bursës në SHBA mbyllën ditën e premte me rënie të ndjeshme.

Trump ka sulmuar edhe më parë zyrtarë ekonomikë të rëndësishëm, përfshirë Jerome Powell, kreun e Rezervës Federale, e cila ende nuk ka ulur normat e interesit pavarësisht kërkesës së tij.

Pas raportit të punësimit, Trump lëshoi një tjetër sulm ndaj Powell, duke thënë se “duhet edhe ai të dërgohet në pension”.

Një anëtare e Komitetit të Politikës Monetare të Fed-it, Adriana Kugler, ka dhënë dorëheqjen përpara kohe, çka i jep Trump-it mundësinë të emërojë dikë tjetër. Mandati i saj përfundonte në janar të ardhshëm.

Departamenti i Punës, që mbikëqyr BLS-në, njoftoi në rrjetet sociale se zëvendës-komisioneri William Wiatrowski do ta zëvendësojë përkohësisht McEntarfer-in.

Departamenti nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

BLS rishikon shifrat e punësimit çdo muaj pasi përpunon të dhëna të reja, zakonisht duke shtuar ose hequr dhjetëra mijëra vende pune. Megjithëse ndryshimet e këtij muaji ishin më të mëdha se zakonisht, analistët thonë se ato përputhen me tendencat e tjera të ngadalësimit ekonomik.

Disa spekulojnë se shifrat e dobëta mund të pasqyrojnë një goditje për bizneset e vogla, të cilat përgjigjen më ngadalë në sondazhe dhe janë veçanërisht të ndjeshme ndaj tarifave.

McEntarfer kishte mbi 20 vite eksperiencë në qeveri përpara se të emërohej nga Presidenti Joe Biden në vitin 2023 dhe të miratohej pothuajse njëzëri nga Senati.

Michael Strain, drejtor i studimeve të politikës ekonomike në institutin konservator American Enterprise Institute, mbrojti McEntarfer-in, duke thënë se ajo ishte sjellë me “ndershmëri të madhe”.

“Është thelbësore që vendimmarrësit të kuptojnë se statistikat qeveritare janë të paanshme dhe me cilësi të lartë. Duke vënë dyshime mbi këtë, Presidenti po dëmton Shtetet e Bashkuara,” shkroi ai në rrjetet sociale.

Jed Kolko, studiues në Peterson Institute for International Economics, tha se shkarkimi i saj ngre alarm serioz.

“Për gjashtë muaj kam thënë se kërcënimet ndaj të dhënave ekonomike kanë qenë dëme anësore. Jo më. Shkarkimi i kreut të BLS është një alarm i fortë për dëmtim të qëllimshëm të integritetit të të dhënave ekonomike në SHBA,” shkroi ai.

Trump e mbrojti vendimin dhe tha se largimi i saj ishte i nevojshëm për të siguruar që “në këto pozita të kemi njerëz që mund t’i besojmë”.

“Pse duhet të besojë njeri këto shifra?” - tha presidenti të premten, duke lënë Shtëpinë e Bardhë.

Unë besoj se shifrat ishin të rreme, ashtu siç ishin para zgjedhjeve, dhe në raste të tjera – kështu që e dini çfarë bëra? E pushova. Dhe e dini çfarë bëra? Gjënë e duhur.”

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco