Lajmi i fundit

LIVE/ Marshimi kilometrik i protestuesve, kërkohet dorëheqjen e Ramës

Pse po lëviz Trump nëndetëset bërthamore pas përplasjes me Medvedevin?

Pse po lëviz Trump nëndetëset bërthamore pas përplasjes me Medvedevin?

16:18, 02/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump urdhëroi zhvendosjen e dy nëndetëseve bërthamore të Shteteve të Bashkuara drejt “rajonëve të përshtatshëm” në afërsi të Rusisë, ndërsa është bërë gjithnjë e më i frustrur nga ngecja e bisedimeve për paqe që synojnë t’i japin fund luftës së Rusisë në Ukrainë.

Të premten, (1 gusht 2025)  Trump pati një shkëmbim të ashpër fjalësh me Dmitry Medvedevin, udhëheqësin ushtarak të Moskës dhe ish-presidentin e Rusisë. Një ditë më parë, Trump i kishte dhënë një ultimatum Rusisë: nëse nuk pranon armëpushim deri të premten, më 8 gusht, ai do të vendosë një paketë të re sanksionesh ekonomike.

Medvedev reagoi në rrjetet sociale, duke e përshkruar kërcënimin e Trumpit si “një hap drejt luftës”. Ai shkroi se Trump “po luan lojën e ultimatumeve me Rusinë”.

Në një postim në Truth Social, Trump u përgjigj: “Fjalët kanë shumë rëndësi dhe shpesh mund të çojnë në pasoja të padëshiruara. Shpresoj që ky të mos jetë një nga ato raste.”

Çfarë bëri Trump?

Të premten, Trump shkroi në platformën e tij Truth Social se kishte urdhëruar zhvendosjen e dy “Nëndetëseve Bërthamore” të SHBA-ve në “rajonet e përshtatshme”.

Ai e justifikoi këtë veprim duke u referuar te deklaratat që i konsideroi kërcënuese nga ana e ish-presidentit rus, Medvedev, tani nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë. Trump i quajti deklaratat e Medvedevit “shumë provokuese” dhe shtoi se po vepronte për arsye parandaluese.

“Kam urdhëruar që dy Nëndetëse Bërthamore të pozicionohen në rajonet e përshtatshme, për çdo rast që këto deklarata budallaqe dhe nxitëse të jenë më shumë se sa thjesht fjalë,” shkroi ai.

Në fushatën e tij për t’u rizgjedhur president, Trump ka premtuar se do t’i japë fund luftës në Ukrainë brenda 24 orëve; megjithatë, disa bisedime me presidentin rus Vladimir Putin nuk kanë dhënë rezultat.

Image

Çfarë dimë për nëndetëset që Trump thotë se po i zhvendos?

Nuk dimë shumë dhe nuk është e qartë për cilat nëndetëse bëhet fjalë. Trump nuk sqaroi nëse bëhet fjalë për nëndetëse me motor bërthamor apo për ato që mbajnë raketa me mbushje bërthamore.

As vendndodhja e nëndetëseve nuk është bërë publike, sipas protokollit të ushtrisë amerikane.

Megjithatë, deklarata e Trump deri tani shihet më shumë si një kërcënim retorik sesa një veprim real ushtarak, pasi analistët e sigurisë theksojnë se SHBA-të tashmë kanë nëndetëse bërthamore të dislokuara që janë në gjendje të godasin Rusinë si pjesë e një strategjie parandaluese.

Çfarë e nxiti lëvizjen e Trump?

Kryesisht, frustrimi i tij për mungesën e përparimit në bisedimet për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës. Por përplasja në rrjetet sociale me Medvedevin duket se e shtyu Trumpin të veprojë.

Trump dhe udhëheqësi rus kanë kohë që përplasen me fjalë në platforma të ndryshme.

Pas ultimatumeve të reja të Trump për armëpushim, Medvedev reagoi në një postim në X, duke thënë se Trump po luan një “lojë ultimatumi” me Rusinë.

“Çdo ultimatum i ri është një kërcënim dhe një hap drejt luftës. Jo mes Rusisë dhe Ukrainës, por me vendin e tij. Mos ndiq rrugën e Gjumashit Joe!” tha Medvedev.

Më herët gjatë javës, duke shpallur tarifa të reja tregtare për Indinë dhe një dënim shtesë për blerjen e naftës ruse Trump deklaroi se nuk i intereson nëse India dhe Rusia “e fundosin bashkë ekonominë e tyre të vdekur”.

Në një postim në Telegram të enjten, Medvedev i kujtoi Trumpit që të “shikojë filmat e tij të preferuar për të vdekurit e gjallë dhe të kujtojë sa e rrezikshme mund të jetë ‘Dora e Vdekur’”.

“Dora e Vdekur” është një sistem i epokës së Luftës së Ftohtë në Rusi, i cili nis automatikisht një kundërsulm bërthamor edhe nëse udhëheqësia ruse është asgjësuar nga një goditje e parë.

Trump u përgjigj: “I thoni Medvedevit, ish-presidentit të dështuar të Rusisë që mendon se ende është President, të kujdeset për fjalët. Po hyn në një territor shumë të rrezikshëm!”

Duke folur para gazetarëve pas deklaratës për nëndetëset, Trump tha të premten: “Duhet të jemi të kujdesshëm. U bë një kërcënim dhe ne menduam se nuk ishte i përshtatshëm, ndaj duhet të veprojmë me kujdes.

“Në fund të ditës, u bë një kërcënim nga një ish-president i Rusisë, dhe ne do të mbrojmë popullin tonë.”

Kush ka më shumë fuqi bërthamore: Rusia apo SHBA?

Së bashku, SHBA dhe Rusia zotërojnë afro 87 për qind të të gjithë arsenalit bërthamor në botë. Ato kontrollojnë rreth 83 për qind të kokave bërthamore të vendosura apo gati për përdorim operacional.

Sipas një raporti të Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, arsenalet bërthamore globale mbeten në një “nivel shumë të lartë”.

Në janar 2025, vlerësohet se vetëm nëntë vende zotërojnë gjithsej rreth 12,241 koka bërthamore.

Sot, sipas Shoqatës për Kontrollin e Armëve, SHBA ka të dislokuara 1,419 koka strategjike, ndërsa Rusia 1,549, në avionë bombardues dhe raketa të ndryshme.

Marina e SHBA-së ka gjithsej 71 nëndetëse, të gjitha me energji bërthamore flota më e madhe nënujore në botë. Kjo përfshin:

14 nëndetëse balistike të klasit Ohio (SSBN),

4 nëndetëse të konvertuara për raketa me rreze të gjatë Tomahawk (SSGN),

dhe rreth 53 nëndetëse të tjera për misione të ndryshme, si zbulimi, lufta kundër nëndetëseve dhe mbështetja me raketa lundruese.

Në krahasim, Rusia ka më pak se 30 nëndetëse me energji bërthamore, përfshirë rreth 10 SSBN strategjike (klasi Borei dhe Delta IV), që mbajnë raketat Bulava.

Ajo operon gjithashtu disa nëndetëse të tjera sulmuese si ato të klasit Akula dhe po investon në flotën moderne të klasit Yasen-M.

Image

A ka reaguar Rusia ndaj këtij veprimi të Trump?

Jo. As Kremlini dhe as Medvedev nuk kanë reaguar publikisht ndaj urdhrit të Trump për zhvendosjen e nëndetëseve pas përplasjes së tyre verbale.

Megjithatë, Viktor Vodolatsky, një ligjvënës i lartë rus, deklaroi se Rusia ka “ndjeshëm më shumë nëndetëse bërthamore në oqeanet e botës” se SHBA-të dhe pretendoi se nëndetëset amerikane janë “prej kohësh nën kontrollin e tyre”, ndaj nuk ka nevojë për ndonjë përgjigje specifike.

Muajin e kaluar, presidenti amerikan deklaroi se ishte “i zhgënjyer” nga Putin.

“Do kemi një bisedë të mirë. Do them: ‘Mirë, mendoj se jemi afër marrëveshjes’, dhe pastaj ai do rrëzojë një godinë në Kiev,” i tha ai BBC-së.

Të premten, në një koment që duket se iu referua deklaratës së Trump, Putin tha: “Për çdo zhgënjim nga ana e dikujt, të gjitha zhgënjimet lindin nga pritshmëritë e ekzagjeruara. Kjo është një rregull i përgjithshëm i njohur.”

Për një armëpushim me Kievin, Putin tha se dëshiron një “paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë” në Ukrainë; megjithatë, nuk ka dhënë ndonjë shenjë se Rusia është e gatshme ta arrijë këtë më shpejt.

Në vitin 2017, gjatë mandatit të tij të parë, Trump kishte njoftuar dërgimin e dy nëndetëseve bërthamore drejt Gadishullit Korean. Pas kësaj, ai u takua me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un.

Nëse ky veprim i fundit do të çojë në një takim të ri me Putinin, mbetet për t’u parë./ ALJAZEERA

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco