Perëndimi dënon Iranin për komplotet e vrasjeve dhe rrëmbimeve në Europë dhe Amerikën e Veriut

Perëndimi dënon Iranin për komplotet e vrasjeve dhe rrëmbimeve në Europë dhe Amerikën e Veriut

22:46, 31/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Britania e Madhe dhe 13 aleatë të saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe Francën, dënuan të enjten një “valë në rritje” të komplotëve për vrasje, rrëmbime dhe ngacmime të organizuara nga shërbimet iraniane të inteligjencës kundër individëve në Europë dhe Amerikën e Veriut.

“Jemi të bashkuar në kundërshtimin tonë ndaj përpjekjeve të shërbimeve iraniane për të vrarë, rrëmbyer dhe ngacmuar njerëz në territorin tonë, në shkelje të qartë të sovranitetit tonë”, thuhet në një deklaratë të përbashkët të qeverive të 14 vendeve.

Deklarata mban firmën e qeverive të Shqipërisë, Austrisë, Belgjikës, Kanadasë, Çekisë, Danimarkës, Finlandës, Francës, Gjermanisë, Holandës, Spanjës, Suedisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara. Ato kërkuan nga autoritetet iraniane që të ndalin menjëherë këto aktivitete të paligjshme, duke theksuar se shpesh kryhen në bashkëpunim me rrjete kriminale ndërkombëtare.

Ambasada e Iranit në Londër nuk ka reaguar ende, por më herët gjatë korrikut e ka cilësuar të pabazuar dhe të rrezikshëm një raport të deputetëve britanikë që e konsideronte Teheranin si një kërcënim të madh ndaj sigurisë së vendit.

Sipas autoriteteve britanike, që prej fillimit të vitit 2022 janë zbuluar më shumë se 20 komplotë të lidhur me Iranin për rrëmbime apo vrasje të shtetasve britanikë dhe personave që regjimi iranian i konsideron si kërcënime.

Në tetor, agjencia Reuters raportoi se Irani qëndronte pas një vale tentativash për vrasje dhe rrëmbime në Europë dhe SHBA. Ndërsa në mars, qeveria britanike njoftoi masa të reja që e detyrojnë shtetin iranian të regjistrojë çdo aktivitet me ndikim politik, duke përmendur sjelljen gjithnjë e më agresive të shërbimeve të inteligjencës së Teheranit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco