Administrata e ish-presidentit Donald Trump ka deklasifikuar së fundmi Aneksin Durham, një dokument që ishte zbuluar brenda një "dhome sekrete", në thasë të destinuar për djegie. Dokumenti përmban dëshmi të reja tronditëse që hedhin dritë mbi përpjekjet për të fabrikuar akuzat ndaj Donald Trump për lidhje me Rusinë gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016.
Sipas materialeve të publikuara dhe të autorizuara për publikim nga kryetari i Komisionit të Senatit, Chuck Grassley, email-e të pretenduara nga Leonard Bernardo, figurë e lidhur me Fondacionin Soros, zbulojnë një plan të miratuar nga Hillary Clinton-i për të larguar vëmendjen publike nga skandali i saj i email-eve duke akuzuar Trump-in për bashkëpunim me hakerë rusë.
Në një email të datës 27 korrik 2016, Bernardo shkruan se “HRC (Hillary Rodham Clinton) ka miratuar idenë e Julias për të fajësuar Trump-in dhe hakerët rusë për pengimin e zgjedhjeve amerikane”. Qëllimi, sipas email-it, ishte të krijohej një krizë e brendshme që do të detyronte inteligjencën amerikane dhe opinionin publik të përqendrohej te “ndikimi rus” dhe jo te email-et e humbura të Clinton-it. Madje përmendet edhe përdorimi i kompanive si CrowdStrike për të “furnizuar mediat me prova”, ndërsa shpresohej që GRU-ja ruse të vazhdonte të akuzohej.
Një tjetër email, i datës 25 korrik 2016, flet për analizën mediatike të sulmeve ndaj Komitetit Kombëtar Demokrat (DNC), duke theksuar rëndësinë që kjo çështje të përdorej për të demonizuar Putinin dhe Trump-in, dhe për të ndikuar në opinionin publik para dhe pas konventës së Partisë Demokratike.
FBI dhe Komuniteti i Shërbimeve Sekrete: Email-et “përafërsisht autentike”
Sipas dokumenteve, FBI-ja dhe analistët e inteligjencës që u morën me hetimin “Crossfire Hurricane” intervistuan disa zyrtarë që ishin ekspertë në çështjet e mbledhjes së informacionit të ndjeshëm. Ata arritën në përfundimin se email-et e Leonard Bernardos ishin “përafërsisht autentike”. Disa analistë gjithashtu vunë në dukje se është e mundur që rusët të kenë hakuar vërtet email-et e tij, duke ngritur pikëpyetje të mëtejshme për manipulimin e informacionit.
Një skandal që rihap debatin për mashtrimin e “Russiagate”
Këto dokumente të deklasifikuara përforcojnë dyshimet që kanë qarkulluar prej vitesh, se e gjithë narrativa për lidhjet mes Trump-it dhe Rusisë ishte e fabrikimit politik, që nisi nga kampi i Clinton-it dhe u mbështet nga elementë brenda FBI-së dhe aparatit të inteligjencës gjatë administratës Obama.
Ky zbulim vjen ndërsa hetimi i Prokurorit të Posaçëm John Durham ka zbuluar një sërë shkeljesh dhe parregullsish në mënyrën se si FBI-ja trajtoi informacionin e përdorur për të justifikuar hetimin ndaj Trump-it dhe bashkëpunëtorëve të tij.
© SYRI.net