Junta e Mianmarit i dha fund gjendjes së jashtëzakonshme në vend të enjten, duke përshpejtuar përgatitjet për zgjedhjet e dhjetorit, të cilat janë kritikuar nga vëzhguesit ndërkombëtarë dhe janë bojkotuar nga grupet e opozitës.
"Gjendja e jashtëzakonshme hiqet sot në mënyrë që vendi të mbajë zgjedhje në rrugën drejt një demokracie shumëpartiake", tha zëdhënësi i juntës Zaw Min Tun, në një mesazh zanor të ndarë me gazetarët. "Zgjedhjet do të mbahen brenda gjashtë muajve", shtoi ai.
Ushtria shpalli gjendje të jashtëzakonshme në shkurt të vitit 2021, ndërsa rrëzoi qeverinë civile të ikonës së demokracisë, Aung San Kuu Kyi, duke shkaktuar një luftë civile shumëpalëshe që ka marrë mijëra jetë.
Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme në vitin 2021 i dha shefit ushtarak Min Aung Hlaing pushtet suprem mbi legjislaturën, ekzekutivin dhe gjyqësorin - por kohët e fundit ai i ka cilësuar zgjedhjet si një dalje nga konflikti.
Media shtetërore njoftoi të enjten se junta ushtarake njoftoi formimin e një komisioni prej 11 anëtarësh të udhëhequr nga Min Aung Hlaing për të mbajtur zgjedhjet.
Min Aung Hlaing do të vazhdojë të mbetet në krye të vendit, në cilësinë e presidentit të përkohshëm i cili do të mbikëqyrë votimin, raportoi MRTV.
Ligji i ri zgjedhor u miratua
Grupet e opozitës, përfshirë ish-ligjvënësit e rrëzuar nga grushti i shtetit, janë zotuar të shpërfillin zgjedhjet, të cilat një ekspert i OKB-së muajin e kaluar, i quajti "një mashtrim" i hartuar për të legjitimuar sundimin e vazhdueshëm të ushtrisë.
Analistët parashikojnë se Min Aung Hlaing do të mbajë një rol si president ose si shef i forcave të armatosura pas zgjedhjeve dhe do të konsolidojë pushtetin në atë detyrë, duke zgjatur kështu mandatin e tij si sundimtar de facto.
Junta ende nuk ka njoftuar një datë të saktë për zgjedhjet, por partitë politike po regjistrohen ndërsa seancat e trajnimit mbi makinat elektronike të votimit kanë filluar.
Të mërkurën, qeveria ushtarake tha se miratoi një ligj të ri që përcakton dënime me burg deri në 10 vjet, për fjalime ose protesta që synojnë "shkatërrimin e një pjese të procesit zgjedhor".
Sipas ligjit të ri, kushdo që flet, organizon, nxit, proteston ose shpërndan letra për të prishur ndonjë pjesë të procesit zgjedhor mund të dënohet me tre deri në 10 vjet burgim, si dhe me gjobë.
Gjithashtu thuhet se kushdo që kërcënon, pengon, abuzon ose lëndon rëndë stafin e komisionit zgjedhor, kandidatët ose votuesit mund të dënohet nga tre vjet deri në burgim të përjetshëm.
Një regjistrim i popullsisë i mbajtur vitin e kaluar si përgatitje për zgjedhjet nuk arriti të mbledhë të dhëna nga 19 milionë nga 51 milionë banorët e vendit, thanë rezultatet e përkohshme.
Rezultatet përmendën "kufizime të konsiderueshme sigurie" si një arsye për mungesën e votave - duke dhënë një shenjë se sa i kufizuar mund të jetë shtrirja e zgjedhjeve në mes të luftës civile.
Analistët kanë parashikuar që rebelët do të organizojnë ofensiva rreth zgjedhjeve si një shenjë e kundërshtimit të tyre.
Por këtë muaj, junta filloi të ofrojë shpërblime në para për ata që ishin të gatshëm të linin armët dhe të "ktheheshin në radhët e ligjshme" përpara votimit./ France 24.
© SYRI.net