Ndërsa Izraeli justifikon ofensivën e tij në Gaza si vetëmbrojtje, mospajtimi po përhapet në portet e Evropës. Në muajin qershor, punëtorët francezë të portit bllokuan një dërgesë me komponentë armësh për Izraelin, duke ndezur një valë solidariteti në vende të tjera. Në portin italian të Xhenovës, punëtorët – të njohur për qëndrimin e tyre kundër eksporteve ushtarake – iu bashkuan protestës, duke kërkuar ndalimin e dërgesave drejt një zone lufte ku akuzohen shkelje të të drejtave të njeriut.
Sindikata dhe aktivistë portualë i kërkojnë qeverive të BE-së jo vetëm të ndalojnë eksportet ushtarake, por edhe të tërheqin mbështetjen diplomatike për Tel Avivin. “Gjatë dy viteve të fundit, kemi parë një rritje në lëvizjen e armëve përmes porteve civile”, thotë Josè Nivoi nga Xhenova, që ka mbledhur dokumente dhe prova si menaxher sindikate. Ai pohon se autoritetet qëllimisht heshtin për dërgesat dhe i maskojnë ato si transaksione private – “sikur të ishin duke tregtuar banane”.
Ligji italian nr. 185/1990 ndalon eksportin e armëve në zona lufte, por autoritetet lejojnë kontratat e firmosura para 7 tetorit 2023 – që përfshijnë më shumë se 6 milionë euro në pajisje ushtarake për Izraelin. Megjithatë, punëtorët kërkojnë që portet civile të mos shfrytëzohen për transportin e armatimeve.
Sipas të dhënave, Izraeli importon gati 70% të arsenalit të tij nga SHBA-të, ndërsa Gjermania është furnizuesja e dytë, me 485 milionë euro armë të eksportuara pas 7 tetorit. Italia zë vendin e tretë me më pak se 1% të eksporteve, por ndjeshmëria politike mbetet e lartë. Sipas Traktatit të OKB-së për Tregtinë e Armëve dhe Qëndrimit të Përbashkët Evropian, eksportet duhet të ndalohen në rast shkeljesh të të drejtave të njeriut – por zbatimi është i vakët.
“Problemi nuk janë rregullat, por zbatimi i tyre”, thotë analisti italian Giorgio Beretta, nga Observatori OPAL. Sipas tij, qeveritë shpesh operojnë me informacion të paqartë dhe marrin vendime pa transparencë, ndërsa në shumë raste armët dorëzohen përpara se të ketë shqyrtim parlamentar.
Në maj, BE njoftoi rishikimin e Marrëveshjes së Asociimit me Izraelin për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut, por deri në korrik nuk ka ndërmarrë asnjë sanksion konkret, duke reflektuar përçarjet e brendshme të unionit. Në ndërkohë, portet evropiane po kthehen në skena të një fronti të ri proteste – atë të ndërgjegjes.
© SYRI.net