Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 ballë goditi të mërkurën rajonin rus të Kamçatkës, duke shkaktuar panik, paralajmërime për cunami në të gjithë Oqeanin Paqësor dhe një seri skenash dramatike nga spitalet te brigjet e largëta. Një ngjarje e jashtëzakonshme ndodhi në qytetin Petropavlovsk-Kamchatsky, ku një ekip mjekësh ishte në mes të një operacioni kur toka filloi të dridhej furishëm. Pamjet e kamerave të sigurisë, të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë lokale, tregojnë mjekët duke mbajtur pacientin dhe pajisjet kirurgjikale me duar për të shmangur tragjedinë.
“Pavarësisht rrezikut, mjekët mbetën të qetë dhe qëndruan me pacientin deri në fund”, deklaroi në Telegram ministri Oleg Melnikov, duke shtuar se pacienti tashmë është jashtë rrezikut. Tërmeti, që shkencëtarët rusë e konsiderojnë më të fuqishmin që ka goditur rajonin që nga viti 1952, shkaktoi valë alarmi që arritën deri në Hawaii, Japoni dhe Kili. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se nuk raportohet për viktima në territorin rus, falë ndërtimit të fortë të godinave dhe funksionimit të sistemeve të alarmit.
Megjithatë, në qytetet bregdetare pati skena kaotike dhe raportime për dëme. Roman Kripakov, shef kuzhine në Severo-Kurilsk, kujton momentet e frikës ekstreme: “Tuba, tulla, të gjitha po binin nga çatitë. I kërkova falje të gjithëve, mendova për vdekjen dhe i shkrova gruas sime”, tha ai për Reuters. Në të njëjtin qytet, një video e verifikuar tregon ujin që përmbyt një fabrikë peshku dhe rrëmben kontejnerë e ndërtesa të lehta metalike, ndërsa një grua dëgjohet duke qarë: “Fabrika jonë po fundoset bashkë me prodhimin tonë të ushqimeve të detit.”
Në ishullin Antsiferov, pranë Gadishullit Kamchatka, video të tjera tregojnë luanë deti të frikësuar duke u hedhur në det ndërsa toka dridhej. Ishulli është një habitat natyror për luanët e detit Steller, një specie gati e kërcënuar. Autoritetet po vazhdojnë vlerësimet e dëmeve ndërsa paralajmërimet për cunami janë hequr në pjesën më të madhe të rajonit.
Doctors in Russia continued surgery on a patient despite a powerful magnitude 8.8 earthquake striking, the region's health minister said on his Telegram channel.
— ABC News (@ABC) July 30, 2025
More on the earthquake and the resulting tsunami warnings: https://t.co/ZwF8vaaLz2 pic.twitter.com/034aVGqA26
© SYRI.net