Një ish-deputet gjerman u dënua sot me nëntë muaj burg me kusht për një çështje korrupsioni në Këshillin e Evropës, e njohur si ‘Caviargate’.
Eduard Lintner, 80 vjeç, ish-anëtar i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, akuzohej se kishte marrë disa miliona euro nga Azerbajxhani mes viteve 2008 dhe 2016 përmes kompanive fiktive, dhe se kishte shpërndarë një pjesë të këtyre fondeve tek anëtarë të tjerë të APKE-së, për t’i shtyrë ata të votonin në favor të Azerbajxhanit ose të flisnin pozitivisht për të në media.
“Bëhet fjalë për një rast klasik të blerjes së votës”, thuhet ndër të tjera në vendimin e gjykatës në Mynih, Gjermani.
Azerbajxhani, anëtar i Këshillit të Evropës që prej vitit 2001, kritikohet shpesh për shkelje të të drejtave të njeriut.
Një nga misionet kryesore të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës është mbrojtja e të drejtave të njeriut.
Z. Lintner, ish-zv.ministër i Brendshëm i Gjermanisë, pretendoi se gjithçka ishte bërë në mënyrë plotësisht të ligjshme, me qëllim ushtrimin e ndikimit politik. Interpretimi i tij u hodh poshtë nga gjykata.
Vendimi i Këshillit të Evropës
Ish-deputeti i Bundestagut (1976–2009), kishte rënë dakord në vitin 2014, ndër të tjera, me deputeten konservatore gjermane Karin Strenz që të votonte pro Azerbajxhanit në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, në këmbim të një shume prej rreth 7,500 eurosh në muaj.
Vendimi gjyqësor përcakton se trashëgimtari i Strenz, e cila ndërroi jetë në vitin 2021, duhet të kthejë 110,000 euro, shuma totale e marrë nga Azerbajxhani për shërbimet e saj.
Gjatë procesit gjyqësor, i cili filloi në janar të këtij viti, katër të akuzuar u paraqitën në gjykatë, por dy prej tyre siguruan pezullimin e ndjekjes penale duke paguar gjoba. I akuzuari i tretë, deputeti konservator Axel Fischer, që dyshohet se ishte rekrutuar nga Lintner, u sëmur dhe gjykimi ndaj tij u shty për në vjeshtë.
Rasti është quajtur 'Caviargate', sepse disa zyrtarëve thuhet se iu ofruan havjar, qilima dhe qëndrime në hotele luksoze në Baku, në këmbim të votimit kundër një raporti© SYRI.net