Tragjedi në Nebraska: Konfirmohen të vdekur dy vajza dhe një i rritur pas shpërthimit në impiantin e biokarburanteve

Tragjedi në Nebraska: Konfirmohen të vdekur dy vajza dhe një i rritur pas shpërthimit në impiantin e biokarburanteve

20:23, 30/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Dy vajza dhe një i rritur, të zhdukur që nga shpërthimi i madh në impiantin e biokarburanteve Horizon Biofuels, janë konfirmuar të vdekur, njoftuan zyrtarët të mërkurën. Zjarrfikësit vazhdojnë të luftojnë me flakët dhe tymninë në rrënojat e fabrikës, gati 24 orë pas incidentit tragjik.

Kryebashkiaku i Fremontit, Joey Spellerberg, shprehu dhimbjen për ngjarjen: “Më dhemb zemra. Është një tragjedi. Lutemi për të gjitha familjet e përfshira.” Ai tha se dy vajzat, të cilat ishin nën moshën 12 vjeç, po prisnin lirimin e një punonjësi për t’u drejtuar në takim te mjeku.

Shpërthimi, që ndodhi rreth mesditës së të martës, shkaktoi dëme të mëdha, duke shkatërruar pjesërisht kullën e uzinës dhe duke shembur muret metalike dhe çatinë. Struktura e fabrikes është e paqëndrueshme, gjë që e vështirëson shumë aksesin e ekipit të zjarrfikësve.

Carl Nielsen, nga departamenti vullnetar i zjarrfikësve të Fremontit, tha se flakët vazhdojnë të digjen pavarësisht reshjeve të shiut gjatë natës dhe se pritet një proces shumë i ngadaltë për zhdukjen e flakëve dhe kërkimin e trupave.

Objekti prodhonte shtrat për kafshë dhe peleta druri, duke përdorur mbetje druri dhe materiale me bazë alkooli, tha Shefi i Zjarrfikësve, Todd Bernt. Ai shtoi se ekipet u përballën me “tym të dendur dhe shumë flakë” në momentin e ardhjes në vendngjarje, ndërsa fabrika ndodhet pranë objekteve të tjera prodhimi ushqimor.

Hetuesit dyshojnë se shkaktari i shpërthimit mund të ketë qenë pluhuri i drurit në sistemin e ashensorit të uzinës, ndërsa Horizon Biofuels nuk ka dhënë ende një koment zyrtar.

Ngjarja e rëndë tronditi komunitetin lokal dhe vjen pas një zjarri të mëparshëm në 2014, që kishte dëmtuar sistemin elektrik, por nuk kishte shkaktuar shkatërrime strukturore.

Hetimet vazhdojnë ndërkohë që autoritetet përpiqen të vlerësojnë dëmet dhe sigurinë e zonës.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco