Vendet e Amerikës Latine nisin evakuimet për shkak të një cunami të mundshëm pas tërmetit 8.7 ballë

Vendet e Amerikës Latine nisin evakuimet për shkak të një cunami të mundshëm pas tërmetit 8.7 ballë

19:21, 30/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Vendet e Amerikës Latine janë në gatishmëri për cunami, pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8.7 që goditi rajonin e largët lindor të Rusisë, në gadishullin Kamçatka.

Autoritetet e Kilit dhe Ekuadorit kanë nisur evakuime në ishujt e tyre në Oqeanin Paqësor.

Në Ishullin e Pashkëve, rreth 3.700 kilometra nga bregu perëndimor i Amerikës së Jugut, banorët dhe turistët janë zhvendosur drejt një kishe të vendosur në terren më të lartë, ndërsa përgjatë vijës bregdetare janë dhënë urdhra evakuimi.

Në arqipelagun Galapagos të Ekuadorit, 970 kilometra larg kontinentit, qeveria ka urdhëruar banorët e zonave bregdetare të largohen drejt 'zonave të sigurta', të përcaktuara nga agjencia për menaxhimin e emergjencave.

Nga ana e tij, Peruja ka mbyllur 65 nga 121 portet e saj në Oqeanin Paqësor, duke ndaluar çdo aktivitet tregtar apo peshkimi, dhe ka këshilluar qytetarët të qëndrojnë larg bregdetit.

Në SHBA, sekretarja e Sigurisë së Brendshme, Kristi Noem, deklaroi se rreziku për një cunami të madh që mund të godiste territorin amerikan ka kaluar. Megjithatë, paralajmërimet për disa pjesë të Bregut Perëndimor mbeten në fuqi, edhe pse “pritet që ndikimi të jetë minimal”.

Shërbimi Kombëtar i Motit ka këshilluar banorët e zonave ende në alarm të shmangin bregdetin dhe plazhet.

Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë anuluar paralajmërimet për cunami në rajonet bregdetare të Alaskës jugore, gadishullit të Alaskës dhe Ishujve Aleutë, nga Gjiri Chignik deri në kalimin Samalga. Po ashtu, janë hequr paralajmërimet edhe për Kolumbinë Britanike dhe Samoan Amerikane, që ishin lëshuar pas tërmetit të fuqishëm me magnitudë 8.8 në brigjet e Kamçatkës. Syri.net-CNN.gr

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco