Një tjetër krim kundër botës së egër ka tronditur opinionin publik ndërkombëtar. ‘Blondi’, luani i famshëm pesëvjeçar i Parkut Kombëtar Hwange në Zimbabve, është vrarë nga gjuetarë trofesh që e tërhoqën jashtë zonës së mbrojtur dhe e qëlluan për vdekje.
Fotot e postuara në rrjet nga autorët, ku ata pozojnë krenarë mbi trupin e kafshës, shkaktuan zemërim të madh, edhe pse u fshinë më pas.
Vrasja e ‘Blondit’ u krye për një shumë të majme, rreth 35 mijë paund (afro 40 mijë euro), një ‘çmim gjaku’ që nuk mund të justifikohet nga asnjë traditë gjuetie.
Vetëm tre muaj më parë, një ekip shkencëtarësh nga Universiteti i Oksfordit i kishte vendosur një GPS në qafë për ta ndjekur lëvizjen e tij dhe të tufës që drejtonte tre luanesha dhe rreth 10 këlyshë. Por kjo masë sigurie nuk e ndaloi tragjedinë: në fund të qershorit, Blondi u tërhoq jashtë parkut me kafshë të kalbura si kurth dhe u vra.
Rasti i tij sjell menjëherë në kujtesë vrasjen famëkeqe të luanit Cecil në vitin 2015, që u qëllua me hark nga një gjuetar amerikan. Ai rast shkaktoi një valë zemërimi ndërkombëtar dhe nxiti ndryshime të forta ligjore në mbrojtje të luanëve në Zimbabve. Por duket se ligjet nuk mjaftojnë për të ndalur këtë industri vdekjeje.
Sot, gjuetia e kafshëve të egra është kthyer në një biznes të strukturuar, ku çdo specie ka ‘çmimin e vet’:
-një luan mund të kushtojë deri në 25 mijë paund,
-një leopard rreth 7 500 paund,
-ndërsa një zebër vetëm 750 paund.
Këto shuma nuk përfshijnë shpenzimet e transportit, strehimit apo preparimit të kafshës për trofe.
Sapo një kafshë bëhet e njohur në publik, si ‘Blondi’, fillon një ndjekje brutale e saj, sikur mbi të të ishte vendosur një shpërblim, një ‘çek i hapur’ për vdekje.
Në thelb të këtij mekanizmi mizor qëndron etja për fitim dhe mungesa e çdo respekti për jetën.
Vrasja e ‘Blondit’ është një alarm i ri për botën: as parqet kombëtare nuk janë më garanci për mbrojtjen e kafshëve të egra.
© SYRI.net