Ushtarë, familjarë dhe qytetarë u mblodhën të hënën në Sheshin e Pavarësisë në Kiev për të shënuar trevjetorin e shpërthimit vdekjeprurës në burgun Olenivka, ku më 29 korrik 2022 humbën jetën 53 të burgosur lufte ukrainas.
Ngjarja ndodhi në një burg në rajonin e Donetskut të pushtuar nga Rusia, ku sipas një raporti të vitit 2025 të Kombeve të Bashkuara, përgjegjësia bie mbi forcat ruse që sulmuan kazermat ku qëndronin të burgosurit ukrainas.
Përkujtimi në kryeqytet mblodhi qindra vetë, mes tyre të afërm të viktimave, si dhe familjarë të të burgosurve që ende mbahen në robëri. Ata mbanin në duar fotografi të të dashurve të tyre dhe ndezën qirinj për t’i kujtuar.
Mes pjesëmarrësve ishte edhe Tetiana Vyshniak, nëna e Artemit, një ushtar i kapur në Mariupol që ka më shumë se tre vjet që mbahet në burg nga Rusia. “Ata na mbrojtën, tani duhet t’i mbrojmë ne dhe t’i kthejmë në shtëpi”, u shpreh ajo me lot në sy.
Familjarët kërkuan me ngulm nga komuniteti ndërkombëtar më shumë presion për lirimin e robërve të mbetur dhe drejtësi për të vrarët në Olenivka, duke theksuar se vuajtja e tyre vazhdon ende.
© SYRI.net