Pak orë pasi kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi synimin për njohjen zyrtare të shtetit palestinez deri në shtator, presidenti amerikan Donald Trump reagoi nga bordi i avionit presidencial gjatë kthimit nga Europa në SHBA.
Trump theksoi se nuk ka zhvilluar asnjë bisedë mbi këtë çështje me Starmer gjatë qëndrimit në Skoci, përveç disa komenteve të shkurtra gjatë konferencës së përbashkët për shtyp të të dy liderëve të hënën.
“SHBA nuk kanë një pozicion zyrtar mbi këtë,” deklaroi Trump, duke shtuar se do të dërgojnë fonde të konsiderueshme në rajon për të siguruar ndihmë ushqimore për banorët.
Ai theksoi gjithashtu se Britania e Madhe dhe Bashkimi Europian planifikojnë të japin ndihma humanitare, duke shprehur shpresën që ato të shpërndahen në mënyrë të drejtë dhe transparente.
Megjithatë, Trump nuk la pa shfaqur skepticizmin e tij lidhur me njohjen e Palestinës, duke paralajmëruar se kjo mund të shihet si një ‘shpërblim për Hamasin’, dhe shtoi me nënkuptim se ‘nuk duhet të ketë shpërblime të tilla.’
© SYRI.net