Prokuroria e Milanos ka nisur një hetim mbi një rast të dhunës fizike ndaj një turisti francez me origjinë hebraike dhe djalit të tij 6-vjeçar, në ambientet e një karburanti në qytet. Sipas autoriteteve, hetimi po shqyrton gjithashtu edhe mundësinë që ngjarja të ketë qenë e motivuar nga urrejtja racore.
Turisti në fjalë publikoi një video në rrjetet sociale, në të cilën shfaqen disa klientë të një kafeneje të vendosur brenda pikës së karburantit, duke thirrur “Palestina e lirë” dhe ‘kriminelë, kthehuni në shtëpitë tuaja’.
Sipas dëshmisë së tij, ai dhe djali i tij, të dy me kapelën tradicionale hebraike, reaguan me thirrjen ‘Rroftë Izraeli’.
Më pas, ai pretendon se klientët e kafenesë ushtruan dhunë fizike ndaj tij, i thyen syzet dhe e larguan nga ambienti në gjendje shoku.
“Kam lexuar shumë mesazhe në internet, disa në shenjë solidariteti, të tjera plot urrejtje. Kam mbetur i habitur,” deklaroi turisti, vajza e madhe e të cilit studion në Milano.
Prokuroria ka nisur analizimin e pamjeve të kamerave të sigurisë së vendosura në ambient dhe po mbledh dëshmi nga klientët që ndodheshin aty në momentin e ngjarjes.
Një dëshmitar, punonjës në një kompani pastrimi, i tha gazetës La Repubblica se pa një grup të madh njerëzish që po përplaseshin verbalish dhe krijonin turmë, por nuk pa ndonjë dhunë fizike të drejtpërdrejtë ndaj turistit francez dhe të birit.
Hetimet janë ende në fazë fillestare dhe pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e incidentit.
© SYRI.net