Tre burra janë dënuar me burgim deri në 11 vjet nga një gjykatë gjermane për vjedhjen e qindra monedhave të lashta ari nga një muze në Bavari, që përmbante thesarin më të madh të arit kelt të zbuluar në shekullin e 20-të.
Grabitja ndodhi në nëntor të vitit 2022 në Muzeun Keltik dhe Romak në qytetin Manching, ku autorët hynë në mënyrë spektakolare gjatë natës, duke e përfunduar operacionin në vetëm nëntë minuta.
Për të shmangur sistemet e alarmit, hajdutët prenë kabllot e një qendre telekomunikacioni, duke e izoluar rrjetin lokal dhe duke lejuar një grabitje të sofistikuar pa asnjë sinjalizim të menjëhershëm. Gjatë bastisjes u vodhën 483 monedha ari, që datojnë rreth vitit 100 para Krishtit, të zbuluara për herë të parë në vitin 1999 gjatë një gërmimi arkeologjik, së bashku me një copë ari të papërpunuar.
Edhe pse shumica e thesarit mbetet e humbur, autoritetet thanë se kur arrestuan njërin prej të dyshuarve, i gjetën copa ari që dyshohet se vijnë nga shkrirja e një pjese të monedhave të vjedhura. Katër persona u gjykuan për këtë vjedhje, por vetëm tre u shpallën fajtorë për grabitjen e muzeut. I katërti u lirua nga kjo akuzë, por u dënua për vjedhje të tjera të kryera në kuadër të së njëjtës bandë.
Të pandehurit, nga Gjermania veriore, janë përballur gjithashtu me akuza për 20 vjedhje të tjera ose tentativa grabitjeje në Gjermani dhe Austri, që nga viti 2014. Raste të tjera përfshinin thyerje të kasafortave apo bankomateve. Gjatë gjyqit gjashtëmujor, asnjëri prej tyre nuk pranoi fajësinë, ndërsa avokatët kërkuan lirimin e tyre nga akuzat.
© SYRI.net