Administrata Trump do t’u lejojë punonjësve federalë të promovojnë bindjet e tyre fetare te kolegët, të ekspozojnë objekte fetare në vendin e punës dhe të luten së bashku apo individualisht, sipas një memorandumi të lëshuar të hënën nga Zyra e Menaxhimit të Personelit (OPM).
Udhëzimi, i nënshkruar nga drejtori i OPM-së, Scott Kupor, deklaron se agjencitë federale “duhet të lejojnë shprehjen personale të fesë nga punonjësit federalë në masën më të gjerë të mundshme, përveç rasteve kur një shprehje e tillë do të sillte një barrë të tepruar për funksionimin e punës.”
Kjo do të thotë, sipas memorandumit, se një punonjës federal “mund të përfshihet në një diskutim të sjellshëm me një koleg përse feja e tij është e vërtetë dhe pse tjetri duhet të rishqyrtojë bindjet e tij fetare,” por “nëse personi i paangazhuar nga ana fetare kërkon që kjo përpjekje të ndalet, punonjësi duhet ta respektojë kërkesën.” Memorandumi shton një kusht: “me kusht që këto përpjekje të mos jenë në natyrë ngacmuese.”
Punonjësit federalë do të kenë gjithashtu të drejtën të ftojnë njëri-tjetrin në shërbesa fetare apo të luten në grupe në zyrë, kur nuk janë në orar pune. Shembuj të tjerë të aktiviteteve fetare të lejuara që përmenden nga OPM përfshijnë një roje pylli që udhëheq një tur në një park kombëtar dhe lutet me grupin, ose një mjek që punon në një spital të Çështjeve të Veteranëve dhe lutet mbi një pacient. Punonjësit gjithashtu mund të ekspozojnë objekte fetare mbi tavolinat e tyre të punës.
Memorandumi i këshillon agjencitë të rishikojnë dhe, nëse është e nevojshme, të rishkruajnë politikat e tyre të brendshme për të siguruar që mbrohet në mënyrë të duhur shprehja fetare.
Ligji federal tashmë ofron disa mbrojtje për shprehjen fetare në vendin e punës.
Neni VII i Aktit të të Drejtave Civile të vitit 1964 ndalon punëdhënësit të diskriminojnë mbi bazën e fesë. Ata janë të detyruar të bëjnë akomodime të arsyeshme për praktikat dhe besimet fetare të punonjësve të tyre, përveçse nëse kjo do të përbënte një “vështirësi të tepruar”.
Në një deklaratë për shtyp, Kupor tha se ideja është ta bëjnë vendin federal të punës “jo thjesht në përputhje me ligjin... por mikpritës për amerikanët e të gjitha besimeve.”
Memorandumi, i lëshuar nga ajo që në thelb është departamenti i burimeve njerëzore të qeverisë federale, është përpjekja më e fundit e administratës Trump në lidhje me fenë. Në maj, presidenti krijoi një Komision për Lirinë Fetare dhe, në shkurt, nënshkroi një urdhër ekzekutiv për formimin e një task-force që synon të çrrënjosë paragjykimin kundër të krishterëve.
“Ne po e rikthejmë fenë në vendin tonë,” premtoi Trump gjatë një mëngjesi lutjesh në Uashington, kur shpalli planet për Komisionin për Lirinë Fetare. / CNN - Syri.net
© SYRI.net