Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, bëri sot një thirrje të fuqishme për ndihmë urgjente në Rripin e Gazës, duke deklaruar se ‘një pikë ndihme duhet të shndërrohet në një oqean’.
"Ushqimi, uji, barnat dhe karburanti duhet të rrjedhin në mënyrë të pandërprerë dhe pa pengesa," theksoi ai, duke iu referuar paralajmërimit të fundit të organizatës që monitoron urinë globale.
Sipas raportit të publikuar një ditë më parë, Gaza ndodhet në prag të urisë, duke konfirmuar frikën e përhapur prej javësh.
“Populli palestinez në Gaza po përjeton një katastrofë humanitare me përmasa dramatike. Nuk kemi të bëjmë me një paralajmërim, kjo është një e vërtetë e dhimbshme që po zhvillohet para syve tanë,” tha Guterres në një deklaratë zyrtare.
Në të njëjtën linjë, tre agjenci të OKB-së, Programi Botëror për Ushqimin (WFP), Organizata për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) dhe UNICEF, bënë sot një thirrje të përbashkët për veprim të menjëhershëm.
Ato paralajmëruan se ‘skenari më i keq i urisë’ është tashmë në zhvillim në Gazë dhe kërkuan që territori të përmbytet me ndihma ushqimore për të shmangur një krizë edhe më të thellë.
“Gaza duhet të përmbytet menjëherë me ndihma ushqimore dhe kjo ndihmë duhet të vazhdojë çdo ditë, pa asnjë pengesë, në mënyrë që të parandalojmë një uri të përhapur,” deklaroi Cindy McCain, drejtoreshë e WFP-së.
© SYRI.net