Portugalia po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret pyjore që kanë shpërthyer në disa rajone pas një vale të zgjatur të të nxehtit ekstrem. Tre zjarre të mëdha janë regjistruar në Arouca, Ponte da Barca dhe Penamacor, duke shtyrë autoritetet të vendosin mbi 1,300 zjarrfikës në terren për të vënë flakët nën kontroll.
Në Ponte da Barca dhe Arouca, rreth 900 efektivë janë angazhuar në operacione shuarjeje, ndërsa në Penamacor janë vendosur edhe 400 të tjerë. Zjarret më të rënda u raportuan në Ponte da Barca dhe Arouca, ku flakët nisën që të hënën pasdite.
Në Arouca, fshati Fornos de Carvão u evakuua në orët e para të mëngjesit të së martës, ndërsa autoritetet mbyllën edhe shtegun malor të njohur Paiva për arsye sigurie.
Zjarri në Ponte da Barca, i cili nisi të shtunën mbrëma në fshatin Lindoso, vijon të jetë aktiv, me zjarrfikës që luftojnë për stabilizimin e zonës edhe në orët e para të mëngjesit të së martës.
Ndërkohë, në Penamacor, autoritetet deklaruan se përpjekjet për të kontrolluar zjarrin në distriktin Castelo Branco po ecin mirë. Flakët, që nisën të hënën pasdite, u përhapën shpejt për shkak të erërave që arritën shpejtësinë 3,500 metra në orë. Synimi i autoriteteve është të venë situatën nën kontroll deri në fund të ditës së martë.
Një tjetër vatër aktive u regjistrua në Sever do Vouga, ku të paktën 87 persona janë angazhuar në përpjekjet për shuarje që nga ora 7 e mëngjesit.
Zjarret vijnë në një kohë kur autoritetet kanë vendosur shumicën e territorit të vendit në alarm të verdhë për shkak të temperaturave ekstreme, që pritet të zgjasin të paktën deri të enjten. Temperaturat në disa rajone kanë arritur deri në 40 gradë Celsius, si në Setúbal, ndërsa në Castelo Branco termometri pritet të ngjitet deri në 36 gradë.
© SYRI.net