Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur një afat të ri shumë më të shkurtër për Rusinë që të pranojë një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, gjatë një takimi të zhvilluar me Kryeministrin britanik Keir Starmer në resortin Turnberry në Skoci.
Duke folur për mediat në prani të Starmer, Trump deklaroi:
‘Jam shumë i zhgënjyer nga Presidenti Putin. Do ta shkurtoj afatin nga 50 ditë në vetëm 10 ose 12 ditë, sepse mendoj se tashmë e di se çfarë do të ndodhë.’
Sipas Trump, nëse Moska nuk tregon përparim deri më 7–9 gusht, SHBA do të vendosë tarifa sekondare 100% ndaj partnerëve tregtarë të Rusisë, për ta izoluar më tej ekonomikisht.
Një pjesë e madhe e diskutimeve mes dy liderëve iu kushtua edhe krizës humanitare në Gaza. Trump theksoi nevojën për të ushqyer popullsinë civile:
‘Ndoshta gjëja më e rëndësishme tani është të ushqehen njerëzit. Ka shumë urinë.’
Trump tha se SHBA ka dhënë tashmë 60 milionë dollarë ndihmë humanitare për Gazën dhe shtoi se vende të tjera, përfshirë Britaninë dhe shtete evropiane, po bashkëpunojnë për të ngritur qendra ushqimore.
Nga ana e tij, Kryeministri Starmer tha:
‘Është një katastrofë humanitare. Populli britanik është i tmerruar nga ajo që sheh çdo ditë në ekranet televizive. Duhet të arrijmë një armëpushim të menjëhershëm.’
Ai shtoi se Londra dhe Uashingtoni po diskutojnë një plan të përbashkët për dërgimin me urgjencë të ndihmave dhe për të menaxhuar fazën pas armëpushimit.
Starmer është nën presion në rritje nga deputetët britanikë për të njohur Palestinën si shtet sovran, një hap që Franca ka paralajmëruar tashmë. I pyetur për këtë çështje, Trump nuk mori pozicion, por tha:
‘Nuk më shqetëson nëse ai (Starmer) merr një qëndrim.’
Takimi mes Trump dhe Starmer u zhvillua në një atmosferë të pazakontë për diplomacinë, në një resort golfi, të shoqëruar nga tingujt e gajdes skoceze, por mesazhet e dërguara nga të dy liderët ishin të qarta: vendosmëria për presion ndërkombëtar ndaj Rusisë dhe një reagim më i fuqishëm ndaj krizës humanitare në Lindjen e Mesme.
© SYRI.net