Të paktën 35 persona janë vrarë nga rrëmbyes në shtetin Zamfara të Nigerisë veriore, pavarësisht se familjarët kishin paguar shpërblimin e kërkuar për lirimin e tyre. Ngjarja tragjike u konfirmua nga një zyrtar lokal për BBC-në, i cili e përshkroi masakrën si një akt çnjerëzor dhe brutal.
Në mars, 56 banorë të fshatit Banga në zonën e qeverisjes lokale Kauran Namoda u rrëmbyen nga persona të armatosur të njohur në vend si “banditë”. Mediat vendase raportuan se rrëmbyesit kërkuan një shpërblim prej një milion naira (rreth 655 dollarë) për secilin peng. Pavarësisht pagesës, vetëm 18 prej tyre u liruan të shtunën, mes tyre 17 gra dhe një fëmijë.
“Shumica e viktimave ishin të rinj që u masakruan si desh”, deklaroi Manniru Haidara Kaura, kryetar i qeverisë lokale. Ai shtoi se 16 nga të mbijetuarit ndodhen në spital në gjendje të rënduar. Trupat e 38 viktimave nuk pritet të kthehen, pasi në këto raste kufomat rrallë dorëzohen.
Kjo ngjarje rikthen vëmendjen te rritja e frikshme e industrisë së rrëmbimeve në Nigeri, një fenomen i përhapur sidomos në veri të vendit. Edhe pse në vitin 2022 u miratua një ligj që e ndalon pagesën e shpërblimit dhe e dënon me vdekje rrëmbimin nëse viktimat humbin jetën, deri më tani nuk ka pasur ndonjë ndëshkim konkret.
Familjarët e viktimave, të zhgënjyer nga mungesa e ndërhyrjes shtetërore, shpesh detyrohen të negociojnë vetë me banditët, duke e mbajtur të gjallë këtë praktikë vdekjeprurëse.
© SYRI.net