Nga Alba Kepi
Me një letër drejtuar Kryeministres Giorgia Meloni kërkojnë njohjen e shtetit të Palestinës e ndryshimin e linjës së qasjes së qeverisë ndaj Izraelit.
Në një akt të rrallë kolektiv diplomatik, 43 ish-ambasadorë dhe funksionarë të lartë të diplomacisë italiane i kanë drejtuar një letër të hapur Kryeministres Giorgia Meloni, duke kërkuar ndryshim të menjëhershëm të qëndrimit të Italisë ndaj Izraelit, për shkak të asaj që ata e përshkruajnë si shkelje sistematike të të drejtave të njeriut dhe ligjit ndërkombëtar në Gaza.
Letra përfaqëson një pozicion të paprecedentë për diplomacinë italiane, zakonisht të rezervuar dhe të kujdesshme në çështje kaq të ndjeshme si konflikti izraelito-palestinez. Por për firmëtarët – një grup i përzgjedhur i njerëzve që për dekada kanë përfaqësuar Italinë në kryeqytete dhe organizata ndërkombëtare – heshtja nuk është më opsion.
Toni i letrës është i qartë: sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023 janë të dënueshme, por ato nuk mund të justifikojnë më shkallën e shkatërrimit, zhvendosjeve të detyruara, dhe viktimave civile në Gaza.
Diplomatët flasin për krime lufte, spastrim etnik, dhe për herë të parë në një dokument të tillë italian, përmendet edhe fjala “gjenocid”, duke iu referuar procesit të hapur në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë ndaj Izraelit.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, letra kërkon:
Pezullim të bashkëpunimit ushtarak me Izraelin
Sanksione kundër ministrave izraelitë të ekstremit të djathtë
Pezullim të marrëveshjes së asociimit BE-Izrael
Dhe sidomos: njohjen zyrtare të shtetit të Palestinës nga Italia
Teksti i plotë i letrës
Zonja Presidente e Këshillit të Ministrave,
Ka momente në histori kur nuk janë më të mundshme as paqartësitë e as pozicionet e ndërmjetme. Ky moment ka ardhur për Gazën. Prej shumë muajsh, nuk ka më asnjë justifikim të mundshëm, as ndonjë argument bindës, për mënyrën e zhvillimit të operacioneve ushtarake të Izraelit në Gaza.
Sulmet e neveritshme të Hamasit më 7 tetor 2023 nuk kanë më asnjë lidhje – as sasiore, as cilësore – me tmerrin që po ushtrohet në Rripin e Gazës nga Izraeli ndaj shumicës dërrmuese të civilëve të pafajshëm. Kjo nuk ka të bëjë me të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje, dhe nuk është aspak e papërshtatshme të cilësohet si spastrim etnik, ndërkohë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shqyrton mundësinë që të jetë gjenocid.
Shkeljet flagrante të të drejtave të njeriut dhe të dinjitetit njerëzor – pa përjashtuar fëmijë, gra, të moshuar, të sëmurë – krimet kundër njerëzimit, krimet e luftës, mosrespektimi i përhershëm i ligjit ndërkombëtar dhe të drejtës humanitare, janë vepra për të cilat qeveria izraelite, si çdo qeveri tjetër, duhet të mbajë përgjegjësi. Këto veprime minojnë themelet e bashkësisë ndërkombëtare dhe fshijnë arritje etike të fituara me dekada përpjekjesh dhe zakonesh ndërkombëtare.
Kufizimet e papranueshme për hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza, zëvendësimi i veprimtarisë së organizatave ndërkombëtare me një fondacion të vetëshpallur si humanitar, pa alternativa reale, po shkaktojnë mijëra viktima të reja të pafajshme, të cilat u shtohen dhjetëra mijëra të tjerëve të vrarë nga bombardimet masive dhe pa dallim të ushtrisë izraelite në të gjithë Rripin e Gazës.
Gjatë këtyre muajve kemi qenë dëshmitarë të zhvendosjeve të vazhdueshme të detyruara të popullsisë, nga njëra zonë në tjetrën, pa ndonjë zonë reale mbrojtjeje ndërkombëtare. Kjo ka ndodhur ndërkohë që të gjitha infrastrukturat jetike të Gazës – të nevojshme edhe vetëm për mbijetesën – janë shkatërruar në mënyrë sistematike: duke nisur nga spitalet, më pas shkollat, universitetet, dhe vetë kampet e refugjatëve.
Përballë gjithë kësaj, deklaratat – sado të nevojshme – nuk mjaftojnë më, përfshirë edhe atë të firmosur nga 30 ministra të Jashtëm dhe një komisionere e BE-së më 21 korrik, të cilës Italia me meritë i është bashkuar. Nevojiten veprime konkrete, politike dhe diplomatike, me efekt të vërtetë.
Përballë përsëritjes së masakrave të civilëve, i kërkojmë Qeverisë italiane të ndërmarrë veprime të mëposhtme:
1. Të pezullojë çdo marrëdhënie dhe bashkëpunim, çfarëdo lloji, në fushën ushtarake dhe të mbrojtjes me Izraelin;
2. Të mbështesë në kuadër të BE-së çdo nismë që parashikon sanksione individuale (ndalim udhëtimesh ndërkombëtare, ngrirje të pasurive dhe aktivitetit financiar) ndaj ministrave izraelitë – si Smotrich dhe Ben Gvir – të cilët nxisin dhe mbështesin shtimin e vendbanimeve të paligjshme dhe dhunën e kolonëve në Bregun Perëndimor;
3. T’i bashkohet qëndrimit europian për pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Asociimit ndërmjet Izraelit dhe Bashkimit Europian.
Kërkesa kryesore politike:
Veprimi më urgjent, me domethënie të lartë politike dhe aspak simbolike, është njohja kombëtare e menjëhershme e Shtetit të Palestinës, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete.
I kërkojmë qeverisë ta rishqyrtojë këtë çështje. Një vendim i tillë do të tregonte se për Italinë perspektiva e "dy popuj, dy shtete" nuk është thjesht një slogan bosh dhe pa kredibilitet, por një rrugë konkrete negociatash që duhet të rifillojë menjëherë. Marrëdhëniet me Izraelin duhet të varen ngushtë nga kjo perspektivë.
Nëse ndodh ndonjë aneksim i plotë apo i pjesshëm i territoreve palestineze, kjo duhet të çojë në një rishikim rrënjësor të marrëdhënieve diplomatike me Izraelin.
Zonja Presidente, vitet e gjata në shërbim diplomatik, në mbështetje të paqes dhe dialogut – sipas frymës së nenit 11 të Kushtetutës Italiane – na shtyjnë t’ju drejtojmë këtë apel, sepse nuk mund të qëndrojmë në heshtje dhe pasivitet përballë mohimit sistematik nga ana e qeverisë izraelite të gjithçkaje në të cilën kemi besuar dhe për të cilën kemi kryer profesionin tonë diplomatik.
Firmëtarët – në rend alfabetik:
Aldo Amati, Lorenzo Angeloni, Antonio Armellini, Marco Baccin, Piero Benassi, Mario Boffo, Alberto Bradanini, Giovanni Brauzzi, Rocco Cangelosi, Ino Cassini, Rosanna Coniglio, Antonio D’Andria, Vincenzo De Luca, Anna Della Croce, Roberto Di Leo, Pasquale Ferrara, Giovanni Ferrero, Giovanni Germano, Michele Giacomelli, Luca Giansanti, Aldo Mantovani, Maurizio Melani, Andrea Meloni, Elio Menzione, Laura Mirachian, Giuseppe Mistretta, Enrico Nardi, Ferdinando Nelli Feroci, Claudio Pacifico, Angelo Persiani, Michelangelo Pipan, Cristina Ravaglia, Lucio Alberto Savoia, Stefano Starace Janfolla, Stefano Stefanini, Vittorio Surdo, Franco Tempesta, Pasquale Quito Terracciano, Carlo Trezza, Gianfranco Varvesi.
© SYRI.net