Nga Jonathan Josephs & Peter Hoskins, BBC
Pas javësh negociatash të tensionuara mes zyrtarëve të lartë të tregtisë, Bashkimi Europian dhe SHBA më në fund arritën një marrëveshje kuadër – dhe kjo ndodh pikërisht në prag të raundit më të fundit të bisedimeve për tarifa me Kinën.
Në fund, u desh që drejtuesit nga Uashingtoni dhe Brukseli të uleshin ballë për ballë për të arritur marrëveshjen e së dielës.
Kjo është diçka që kemi parë edhe në marrëveshjet e tjera të presidentit Donald Trump – përfshirja e tij personale është ajo që i ka çuar drejt finalizimit, edhe kur shanset për përparim dukeshin të zbehta.
Marrëveshja ka rëndësi për të dyja palët, sepse shumë biznese dhe vende pune varen nga ajo që BE e quan “marrëdhënia më e madhe dypalëshe në botë për tregti dhe investime”.
Administrata Trump po e feston këtë si një fitore të madhe – dhe në shumë aspekte, ashtu është. Por nuk është as një humbje e plotë për Presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“I gjithë shtypi europian po i thur lavde presidentit tani, i habitur nga marrëveshja që ai arriti në emër të amerikanëve,” tha në një postim në rrjetin social X nënpresidenti JD Vance.
“Nesër, mediat amerikane pa dyshim do të kenë tituj si ‘Donald Trump mori vetëm 99.9% të asaj që kërkoi’,” shtoi ai.
Ngushëllimi për BE-në është se tani përballet me një tarifë amerikane prej 15%, në vend të 30%-shit që ishte kërcënuar më herët.
Por megjithatë, kjo mbetet një tërheqje e madhe, pasi kjo normë është shumë më e lartë se ajo që ishte para të ashtuquajturës “Dita e Çlirimit” e Trump në prill, dhe jo aq e favorshme sa norma 10% që gëzon Britania.
Brukseli mund të theksojë se kjo normë më e ulët zbatohet për shumë nga eksportet kryesore europiane.
Gjithashtu, kjo do të thotë që prodhuesit e makinave në BE do të përballen me një tarifë importi prej 15% në SHBA, në vend të tarifës globale 25% që u vendos në prill.
Në këmbim, BE po “hap vendet e saj me tarifë zero” për eksportet amerikane, tha Trump.
Çeliku dhe alumini europian do të vazhdojnë të përballen me një tarifë 50% kur shiten në tregun amerikan.
Për Trump, ende nën dritën e marrëveshjes së tarifave me Japoninë javën e kaluar, kjo marrëveshje përbën një tjetër fitore të madhe.
Marrëveshja me BE-në pritet t’i sjellë qeverisë amerikane rreth 90 miliardë dollarë të ardhura nga tarifa, bazuar në shifrat e tregtisë së vitit të kaluar.
Si pjesë e marrëveshjes, BE-ja do të blejë gjithashtu produkte energjetike dhe armë amerikane me vlerë qindra miliarda dollarë.
Trump deklaroi se BE-ja do të rrisë investimet e saj në SHBA me 600 miliardë dollarë, përfshirë blerjen e pajisjeve ushtarake amerikane, dhe do të shpenzojë 750 miliardë dollarë për energji.
Marrëveshja po paraqitet si një moment historik në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Brukselit.
Nuk ka qenë e lehtë të arrihej deri në këtë pikë.
Të dyja palët luajtën “fort”, por asnjëra nuk donte që negociatat të kalonin afatin e 1 gushtit.
Bashkimi Europian kaloi javë të tëra duke u përpjekur të paraqitej si një negociator i ashpër, duke përgatitur tarifa hakmarrëse dhe duke paralajmëruar se mund t’i vinte në zbatim.
Prej vitesh, presidenti amerikan ka kritikuar ashpër atë që ai e konsideron si praktika të padrejta tregtare nga ana e Europës.
Pjesa e parë e kësaj kritike lidhet me deficitin tregtar. Vitin e kaluar, SHBA bleu 236 miliardë dollarë më shumë mallra nga BE sesa shiti drejt tij.
Trump e sheh këtë me një qasje disi të thjeshtuar, si pasuri amerikane që po del jashtë vendit pa arsye.
Por realiteti është se tregtia ndërkombëtare është një çështje shumë më komplekse se kaq.
Ankesa tjetër ka qenë se rregulloret e rrepta të BE-së, që prekin gjithçka nga makinat te pulat, e bëjnë më të vështirë për kompanitë amerikane të shesin produktet e tyre në Europë, krahasuar me rrugën e kundërt.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, pranoi nevojën për të adresuar këtë disbalancë tregtare.
Gjatë shpalljes së marrëveshjes, ajo tha: "Duhet ta ribalancojmë. Kemi një marrëdhënie të shkëlqyer tregtare. Është një volum i madh tregtie që ndajmë, ndaj do ta bëjmë më të qëndrueshëm".
Megjithatë, pozicioni negociues i BE-së u përball me sfida serioze.
Rreziku për një luftë tregtare me ekonominë më të madhe në botë nuk erdhi në një moment të favorshëm.
Rritja ekonomike në Europë ka qenë e ngadaltë dhe vetëm javën e kaluar Banka Qendrore Europiane paralajmëroi se “mjedisi mbetet jashtëzakonisht i pasigurt, veçanërisht për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare.”
Kjo marrëveshje ndihmon në largimin e një pjese të kësaj pasigurie.
Europa gjithashtu mbështetet shumë te SHBA për sigurinë e saj. Në prapaskenë, ekipi negociator i Brukselit me siguri kishte parasysh shqetësimin se Trump mund të ndalonte furnizimin me armë për Ukrainën, të tërhiqte ushtrinë amerikane nga rajoni, apo madje të largohej nga NATO.
“BE-ja ishte në një pozicion të dobët, më vjen keq ta them. Nuk kishte zgjidhje tjetër. Trump nuk do të tërhiqej dhe ata pranuan 15%, kështu që është një ditë e keqe për tregtinë ndërkombëtare, sinqerisht. Por mund të kishte qenë edhe më keq,” tha ish-negociatori i BE-së për tregtinë, John Clarke, për BBC.
Kjo marrëveshje tregon sa seriozisht e merr Presidenti Trump rishikimin e mënyrës se si SHBA, si ekonomia më e madhe në botë, bën biznes me pjesën tjetër të botës.
Duke qenë se BE përbëhet nga 27 vende shumë të ndryshme, ajo ka qenë një nga marrëveshjet tregtare më të vështira për t’u realizuar.
Kjo ndodh vetëm disa ditë pas marrëveshjes së madhe të SHBA-së me Japoninë – dhe pas marrëveshjeve të mëparshme me Britaninë, Vietnamin dhe Indonezinë.
Marrëveshjet e tjera të mëdha që mbeten ende në tryezë janë me tre partnerët më të mëdhenj individualë të tregtisë së SHBA-së: Meksikën, Kanadanë dhe Kinën.
Me presidentin amerikan në një fazë aktive të bërjes së marrëveshjeve, mund të ketë lajme pozitive për ekonominë globale gjatë 48 orëve të ardhshme.
Për herë të tretë brenda tre muajve, SHBA dhe Kina po zhvillojnë bisedime tregtare.
Po rriten pritshmëritë se tarifat më të larta mes dy ekonomive më të mëdha në botë mund të shtyhen edhe për 90 ditë të tjera.
Por Kina deri tani ka mbajtur një qasje më të ashpër se partnerët e tjerë tregtarë të SHBA-së.
Nëse bisedimet mes këtyre dy gjigantëve ekonomikë dështojnë, tregtia globale mund të përballet sërish me trazira në muajt në vijim.
© SYRI.net