Një arritje mbresëlënëse në fushën e inxhinierisë ka zënë vendin e saj në jug të Kinës, ku është përfunduar ndërtimi i urës më të lartë në botë, mbi kanionin Huajiang, në vetëm tre vite punime intensive.
Struktura gjigante, tashmë e njohur si Huajiang Canyon Bridge, është një mrekulli moderne që kombinon funksionalitetin infrastrukturor me përvojën turistike në një lartësi që të lë pa frymë.
Ura ka një gjatësi totale prej 2.890 metrash, me dy pilonë të lartë gati 300 metra secili, të ndarë mes tyre nga një hapësirë prej 1.420 metrash. Me përfundimin e montimit të segmentit të fundit çelikor, me peshë 215 tonë, struktura është tashmë gati për asfaltim dhe pritet të vihet në përdorim deri në fund të verës.
Me një lartësi rekord prej 625 metrash mbi lumin Beipan Jiang, ura ka kaluar rekordin e mëparshëm të mbajtur po nga Kina, me Beipanjiang Bridge që arrinte në 565 metra. Për krahasim, ura Golden Gate në San Francisko është vetëm 67 metra e lartë, ndërsa ura më e lartë në Europë, Kochertalbrucke në Gjermani, arrin 185 metra.
Ajo që e bën edhe më të jashtëzakonshme këtë arritje është shpejtësia e realizimit: nga vendosja e gurit të parë në vitin 2022, puna përfundoi në vetëm tre vjet, një kohë rekord në kushte tepër të vështira, pasi zona ku ndodhet ura karakterizohet nga reliev malor, erëra të fuqishme dhe aktivitet i lartë sizmik.
Ura është pjesë e autostradës Liuzhi–Anlong Expressway, dhe do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit nëpër luginën Huajiang, me rreth një orë më pak për kalimin në këtë segment. Investimi është pjesë e një fushate të gjerë të autoriteteve kineze për të lidhur rajonet më të izoluara, vetëm në provincën Guizhou janë ndërtuar mbi 9.000 kilometra autostrada.
Por Huajiang Canyon Bridge nuk është thjesht një strukturë funksionale. Ajo është ndërtuar edhe për të ofruar përvoja unike për turistët: ashensorë prej xhami të vendosur në njërin prej pilonëve të saj çojnë vizitorët në një kafene të vendosur 145 metra mbi tokë, ndërsa brenda urës janë krijuar shëtitore për këmbësorë që çojnë në qendër të urës.
Në lartësinë rekord prej 625 metrash, aty do të hapet një restorant me dysheme xhami dhe një platformë për bungee jumping, e cila promovohet me sloganin:
‘Hidhuni nga një lartësi dy herë më e madhe se Kulla Eiffel!’
© SYRI.net