SHBA/ Horror në Florida, prindërit mbyllnin fëmijët e adoptuar në kafaz dhe i ndëshkonin me uthull

SHBA/ Horror në Florida, prindërit mbyllnin fëmijët e adoptuar në kafaz dhe i ndëshkonin me uthull

18:46, 27/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një rast tronditës abuzimi me fëmijët është zbuluar në Florida, SHBA, ku katër anëtarë të familjes Griffith akuzohen se mbanin fëmijët e tyre të adoptuar të izoluar në kushte çnjerëzore, duke i mbyllur në kafaze dhe duke i spërkatur në fytyrë me uthull si formë ndëshkimi.

Hetimi nisi pas një incidenti të pazakontë në një kamp kishtar në qytetin Branford, ku një nga fëmijët u kap me një pajisje elektroshoku (taser). Fillimisht, familjari Bryan Griffith, 47 vjeç, pretendoi se ishte një lodër, por hetimet konfirmuan se pajisja ishte funksionale dhe reale.

Sipas ‘New York Post’, në shtëpinë e familjes Griffith jetonin nëntë fëmijë, pesë biologjikë dhe katër të adoptuar në mënyrë private nga Arizona të moshës 7 deri në 16 vjeç. Por trajtimi i tyre ishte shumë larg çdo standardi njerëzor.

Të katër të rriturit, Bryan Griffith, bashkëshortja e tij Jill Griffith, si dhe dy të rinjtë Dalin Griffith, 21 vjeç, dhe Liberty-Ann Griffith, 19 vjeç, janë arrestuar dhe po përballen me akuza të rënda për abuzim ndaj të miturve.

Kafazet, uthulla dhe presioni psikologjik

Sipas dosjes hetimore, fëmijët mbaheshin të mbyllur nën një strukturë të ngjashme me kafaz, e krijuar duke vidhosur një dërrasë të madhe nën një krevat marinari. Si ndëshkim, u spërkatnin uthull në fytyrë, u jepnin ilaçe pa recetë dhe i detyronin të kryenin punët më të rënda të shtëpisë.

Një episod veçanërisht i rëndë përfshin Jill Griffith, e cila akuzohet se ka detyruar një nga fëmijët të shtrihej në dysheme dhe më pas ka shtypur trupin e tij me një dërrasë të madhe kompensatë.

Diskriminim brenda shtëpisë

Hetimet zbuluan gjithashtu një trajtim të diferencuar të fëmijëve: ndërsa katër fëmijët e adoptuar ishin të detyruar të punonin në shtëpi, pesë fëmijët biologjikë kalonin kohën duke luajtur apo duke parë televizor.

Për më tepër, disa nga fëmijët e adoptuar nuk dinin as emrat e tyre të vërtetë dhe nuk ndiqnin rregullisht shkollën.

Ngjarja ndodhte në një banesë të thjeshtë në Fort White, një zonë rurale në veri të Floridës, dhe ka ngjallur tronditje të madhe në opinionin publik dhe komunitetet lokale.

Autoritetet kanë nisur një hetim të plotë, ndërsa fëmijët janë marrë nën kujdesin e shërbimeve sociale.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco