Hamasi të dielën dënoi operacionet e Izraelit për lëshimin e ndihmave nga ajri dhe korridoret e kufizuara humanitare në Gaza si një "taktikë mashtruese", që synon "zbardhjen e imazhit të pushtimit" dhe shmangien e kërkesave ndërkombëtare për të hequr rrethimin dhe për t'i dhënë fund fushatës së urisë kundër palestinezëve.
Në një deklaratë zyrtare, grupi palestinez e përshkroi strategjinë e lëshimit të armëve nga ajri dhe të ashtuquajturit korridore humanitare, si pjesë të "një politike të llogaritur për të menaxhuar urinë, për të imponuar realitete shtrënguese dhe për t'i nënshtruar civilët rrezikut dhe poshtërimit".
“Mbërritja e ushqimit dhe ilaçeve në Gaza nuk është një nder, është një e drejtë natyrore dhe një domosdoshmëri urgjente për të ndaluar katastrofën e imponuar nga pushtimi nazist”, tha grupi.
Ai theksoi se “ndalimi i agresionit, thyerja e bllokadës dhe hapja e të gjitha kalimeve kufitare janë të vetmet mënyra për t’i dhënë fund krimit të urisë në Gaza”.
Hamasi gjithashtu e mbajti kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përgjegjës drejtpërdrejt për politikat që kanë çuar në vdekje masive të civilëve, duke e quajtur trajtimin e tij të ndihmës dhe urisë sistematike, "krime të qarta lufte".
Grupi i kërkoi bashkësisë ndërkombëtare të intensifikojë presionin si zyrtar ashtu edhe popullor, për të thyer rrethimin dhe për të ndaluar "një fushatë të qëllimshme urie dhe gjenocidi".
Gjithashtu paralajmëroi kundër rënies pre e propagandës izraelite, që synon të shkëpusë vëmendjen nga mizoritë e vazhdueshme.
Kjo vjen ndërsa Izraeli kreu një hedhje ndihmash humanitare nga ajri mbi Gaza të dielën dhe njoftoi plane për pauza të përkohshme lokale në luftime për të lejuar shpërndarjen e ndihmës përmes korridoreve të sigurta të përcaktuara.
Që nga 27 maji, Izraeli ka nisur një iniciativë të veçantë për shpërndarjen e ndihmave përmes Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF), duke anashkaluar OKB-në dhe agjencitë ndërkombëtare humanitare. Ky veprim është refuzuar gjerësisht nga komuniteti global i ndihmës. GHF mbështetet nga SHBA-të.
Ndërkohë, forcat izraelite vazhdojnë të hapin zjarr ndaj palestinezëve që mblidhen pranë qendrave të shpërndarjes, duke vrarë qindra.
Duke hedhur poshtë thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori 2023, duke vrarë më shumë se 59,700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste për Netanyahun dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë./ AA.
© SYRI.net