Franca, Siria dhe SHBA-të kanë rënë dakord që të zhvillohet ‘sa më shpejt të jetë e mundur’ një raund i ri bisedimesh midis qeverisë siriane dhe autoriteteve autonome kurde, me synim integrimin e kurdëve në shtetin sirian.
Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar pas një takimi të mbajtur në Paris mes ministrit të Jashtëm francez Jean-Noël Barrot, homologut të tij sirian Asaad al-Shibani dhe të dërguarit të posaçëm amerikan Tom Barrack, u ra dakord që kryeqyteti francez të presë ‘sa më shpejt që të jetë e mundur’ një raund të ri bisedimesh mes qeverisë siriane dhe Forcave Demokratike Siriane (SDF), me qëllim zbatimin e marrëveshjes së 10 marsit.
Më 10 mars, Mazloum Abdi, kreu i SDF (krahu i armatosur i kurdëve të mbështetur nga SHBA) dhe presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sarra, ranë dakord që institucionet kurde të integrohen në shtetin sirian.
Pas kësaj marrëveshjeje kanë pasuar disa raunde negociatash, por zbatimi i saj po vonohet, me kurdët që kritikojnë deklaratën kushtetuese që i dha kompetenca të plota Sarra-s, si dhe përbërjen e qeverisë së re, të cilën e konsiderojnë si jo përfaqësuese për diversitetin etnik dhe fetar të Sirisë.
Kurdët kërkojnë të ruajnë një model qeverisjeje të "decentralizuar", diçka që Damasku e kundërshton.
Takimi i parashikuar për të enjten në Paris mes përfaqësuesve kurdë dhe një delegacioni të qeverisë siriane u shty.
Të mërkurën, zëdhënësi i SDF-së, Farhad Sami, deklaroi se ‘dorëzimi i armëve është vijë e kuqe’ për kurdët.
“Askush nuk do të bindet. Kushdo që llogarit në dorëzimin (e forcave kurde) do të dështojë, ngjarjet tragjike e kanë provuar këtë”, tha ai, duke iu referuar përleshjeve të fundit mes beduinëve dhe druzenjve në Suvejda, ku u vranë 1.400 njerëz.
Pas këtyre trazirave, një figurë e lartë e kurdëve sirianë i bëri thirrje Damaskut ‘të rishikojë plotësisht dhe urgjentisht’ qasjen e tij ndaj pakicave. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net