Kryeministri i Britanisë, Keir Starmer, deklaroi sot se njohja e një shteti palestinez duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë për siguri të qëndrueshme si për palestinezët, ashtu edhe për izraelitët.
Pas njoftimit të Francës të enjten se do të njohë shtetin e Palestinës, Starmer tha sot se po bashkëpunon me aleatët për hapat që duhet të ndërmerren për paqen në Rripin e Gazës.
"Njohja e shtetit palestinez duhet të jetë një nga këto hapa. Jam i qartë për këtë. Por ajo duhet të jetë pjesë e një plani më të gjerë që në fund të çojë në zgjidhjen me dy shtete dhe siguri të qëndrueshme për palestinezët dhe izraelitët", tha ai në një deklaratë të lëshuar pas një bisede telefonike që zhvilloi më herët me kancelarin gjerman Friedrich Merz dhe presidentin francez Emmanuel Macron. Syri.net-CNN.gr
© SYRI.net