Spanjë/ Incident në avionin Vueling, 50 adoleshentëve hebrenj u anulohet udhëtimi

Spanjë/ Incident në avionin Vueling, 50 adoleshentëve hebrenj u anulohet udhëtimi

22:51, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Rreth 50 adoleshentë francezo-hebrenj, që po ktheheshin nga pushimet në Spanjë, u detyruan të zbresin nga një avion i kompanisë Vueling, në një incident që ka ngjallur polemika.

Kompania ajrore spanjolle përmendi ‘sjellje të papërshtatshme’ nga ana e tyre, ndërsa prindërit e fëmijëve e denoncuan ngjarjen si një ‘akt antisemit’.

Ngjarja ndodhi të mërkurën pasdite, kur grupi i të rinjve, pas dy javësh pushime në Spanjë, ishte gati të nisej nga aeroporti i Valencias për në Orly të Parisit.

Në një deklaratë zyrtare të publikuar në platformën X, Vueling pretendon se të rinjtë 'treguan sjellje të pazakontë`, duke rrezikuar sigurinë e fluturimit'.

Sipas kompanisë, ata përdorën në mënyrë të papërshtatshme pajisjet e sigurisë dhe ndërprenë demonstrimin e detyrueshëm të udhëzimeve të sigurisë.

“Pavarësisht paralajmërimeve të shumta, sjellja e papërshtatshme vazhdoi”, tha kompania, duke shtuar se ekuipazhi thirri policinë spanjolle, e cila i detyroi të rinjtë të zbresin nga avioni “për të garantuar sigurinë e pasagjerëve të tjerë”.

Vueling shtoi gjithashtu se ‘sjellja agresive’ vazhdoi edhe gjatë daljes nga avioni dhe se një prej të rriturve që shoqëronte grupin u arrestua.

Policia spanjolle konfirmoi versionin e kompanisë, duke theksuar se grupi prej 47 adoleshentësh dhe 4 shoqëruesish nuk respektoi urdhrat e ekuipazhit.

Sipas një zëdhënëseje të policisë, shoqëruesja 21-vjeçare u arrestua pasi refuzoi të zbresë dhe nuk iu bind urdhrave të oficerëve, por u lirua shumë shpejt.

Por ky version kundërshtohet fort nga disa prindër të fëmijëve. Sipas tyre, të rinjtë u shënjestruan për shkak të përkatësisë së tyre fetare, pasi njëri prej tyre kishte nisur të këndonte në hebraisht.

Një nënë, Karine Lamy, në një intervistë për kanalin izraelit i24News, tha se fëmijët ishin ‘të qetë’ kur mbërriti policia dhe e cilësoi incidentin si një ‘akt antisemit’.

Një tjetër nënë, që kërkoi të mbetet anonime, deklaroi se shoqëruesja u arrestua sepse tentoi të ndalonte policinë të konfiskonte telefonat e fëmijëve.

“I zbarkuan nga avioni si qen”, tha ajo, duke theksuar se disa prej fëmijëve ishin vetëm 12-13 vjeç.

Kompania Kineret, që kishte organizuar pushimet për grupin e adoleshentëve, njoftoi se po shqyrton çështjen për të ngritur padi kundër Vueling në Francë. “Do të padisim për dhunë fizike dhe psikologjike, si dhe për diskriminim fetar”, deklaroi avokatja e kompanisë, Julie Jacob, duke shtuar se ka rrethana rënduese, pasi bëhet fjalë për të mitur nën 15 vjeç. Syri.net-Kathimerini 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco