Raport alarmues: Konspiracionet rreth motit ekstrem përhapen më shpejt se alarmet që shpëtojnë jetë në mediat sociale

Raport alarmues: Konspiracionet rreth motit ekstrem përhapen më shpejt se alarmet që shpëtojnë jetë në mediat sociale

08:01, 24/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një studim i ri i publikuar nga Qendra për Kundërshtimin e Urrejtjes Dixhitale (CCDH) ngre alarmin për ndikimin shqetësues të teoricienëve të konspiracionit në mes të katastrofave klimatike. Sipas raportit, informacionet e rreme dhe teoritë mashtruese për ngjarje ekstreme të motit po përhapen më shpejt se sinjalet zyrtare të emergjencës në platformat më të mëdha të rrjeteve sociale, si Meta, X dhe YouTube.

Studiuesit analizuan 300 postime virale gjatë uraganeve Helene dhe Milton, si dhe zjarreve në Los Anxhelos, dhe zbuluan se shumica e përmbajtjeve mashtruese u përhapën pa asnjë ndërhyrje të verifikimit të fakteve. Në rastin e YouTube, 100 për qind e postimeve të rreme nuk kishin asnjë shënim paralajmërues. Për X kjo shifër ishte 99 për qind, ndërsa për Meta 98 për qind.

Raporti evidenton përmbajtje që përfshinte pretendime të rrezikshme, si teoritë se uraganet ishin “armë të gjeo-inxhinieruara” ose se zjarret u ndezën nga “lazerë qeveritarë”. Disa postime shkonin edhe më tej, duke nxitur zemërim dhe përçarje me pretendime se migrantët kishin përparësi për ndihmë ose duke promovuar mashtrime financiare që imitonin ndihmën federale.

Ndër personazhet kryesore që përhapin këto narrativa ishte prezantuesi i ekstremit të djathtë Alex Jones, postimet e të cilit gjatë zjarreve në Kaliforni grumbulluan më shumë shikime sesa FEMA dhe mediat kryesore të vendit së bashku. Sipas CCDH, 88 për qind e postimeve mashtruese në X, 73 për qind në YouTube dhe 64 për qind në Meta vinin nga llogari të verifikuara, që përfitojnë nga rritja e shikueshmërisë dhe monetizimi.

“Ndërsa ndihmësit e parë kërkojnë të shpëtojnë jetë dhe qytetarët luftojnë me pasoja tragjike, kompanitë e mediave sociale po përfitojnë nga përhapja e konspiracioneve,” paralajmëroi Imran Ahmed, drejtor ekzekutiv i CCDH. Edhe zyrtarë të tjerë të fushës e quajtën situatën “të tmerrshme” dhe “tronditëse”, duke vënë theksin te nevoja për ndërhyrje urgjente për të frenuar këtë valë dezinformimi që rrezikon jetën dhe sigurinë publike.

CCDH apelon për një rishikim të thellë të politikave të platformave sociale dhe vendosjen e përgjegjësive më të rrepta për përmbajtjet që nxisin panik, përçarje dhe dëmtojnë reagimin ndaj fatkeqësive natyrore.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco