Rusia dhe Ukraina gjatë bisedimeve që zhvilluan në Stamboll janë pajtuar që secila palë të këmbejë 1.200 të burgosur të luftës.
Kështu tha kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky pas raundit të tretë të bisedimeve të mbajtur në Stamboll mbrëmjen e 23 korrikut.
“Jemi pajtuar për vazhdimin e këmbimit të burgosurve të luftës, për të paktën 1.200 të burgosur shtesë që do të këmbehen nga të dyja palët në një të ardhme të afërt”, tha Vladimir Medinsky gjatë një konference për media duke shtuar se takimi Putin – Zelensky do të ndodhë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje
Rundi i tretë i bisedimeve që u zhvillua nën ndërmjetësimin e Turqisë ka zgjatur 40 minuta.
Një burim nga departamenti i shtypit i Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Mbrojtjes së Kievit u tha gazetarëve në Stamboll se mes Medinsky-t dhe Umerov "nuk ka pasur një takim dypalësh", por vetëm "një takim të shkurtër trepalësh përgatitor" për bisedimet mes delegacioneve, në të cilin mori pjesë edhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan.
Në filim të takimit Fidan u bëri thirrje palëve që t’i japin fund sa më shpejt që të jetë e mundur “luftës së përgjakshme”, që ka nisur mbi tre vjet më parë.
“Qëllimi ynë është që t’i jepet fund luftës së përgjakshme sa më shpejt që të jetë e mundur. Një armëpushim që do t’i hapte rrugë paqes”, tha Fidan në nisje të negociatave.
Turqia, ka raporte të mira me të dy fqinjët e saj në Detin e Zi, ka furnizuar Ukrainën me dronë dhe nuk i është bashkuar Perëndimit në sanksionimin e Moskës.
© SYRI.net