Komuniteti amerikan i zbulimit nuk kishte asnjë informacion të drejtpërdrejtë që tregonte se presidenti rus Vladimir Putin donte të ndihmonte Donald Trump të fitonte në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016. Megjithatë, sipas një raporti të deklasifikuar të Komitetit të Zbulimit të Dhomës së Përfaqësuesve, publikimi i disa raportimeve “të njëanshme” apo “të pabesueshme” u bë me urdhër të pazakontë nga presidenti Barack Obama dhe me drejtim të drejtpërdrejtë nga ish-drejtori i CIA-s, John Brennan.
Raporti, i përgatitur më 18 shtator 2020, u deklasifikua nga drejtuesja e Zbulimit Kombëtar, Tulsi Gabbard, dhe nuk ishte bërë publik më parë.
Komiteti i Dhomës zbuloi se vlerësimi i inteligjencës i vitit 2017 (ICA), ku u përfshi edhe dosja e diskredituar kundër Trump-it, u përgatit nga vetëm pesë analistë të CIA-s, nën drejtimin e drejtpërdrejtë të Brennan. Sipas raportit, ky vlerësim u përgatit me nxitim, dy javë para se Trump të betohej si president, pa koordinim të plotë brenda CIA-s apo komunitetit të inteligjencës.
Raporti thekson se tre nga 15 raportet e përfshira në ICA ishin të “dobëta”, me informacion të paqartë, me burim të pasigurt ose “të pabesueshëm”. Pavarësisht kësaj, ato u paraqitën si burime të besueshme për pretendimin se Putin preferonte Trump mbi Hillary Clinton.
Një pjesë e vetme e paqartë e një fjale nga një prej këtyre raporteve ishte e vetmja “provë e klasifikuar” që sugjeronte se Putini “aspironte” të ndihmonte Trumpin, ndërkohë që u injoruan ose u cituan pjesërisht raporte më të besueshme që e kundërshtonin këtë pretendim.
Për më tepër, dy zyrtarë të lartë të CIA-s paralajmëruan Brennan-in se nuk kishte informacion të drejtpërdrejtë që Putini kishte si qëllim fitoren e Trump-it, por raporti ICA u publikua gjithsesi nga administrata Obama.
Raporti gjithashtu përmend inteligjencë të marrë nga një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit, i cili kishte thënë se Putini nuk kishte interes se kush do të fitonte dhe i konsideronte të dy kandidatët (Trump dhe Clinton) me dobësi.
U fshehën të dhëna për planin rus për fitoren e Clinton
Komiteti zbuloi gjithashtu se ICA fshehu informacione që tregonin se Rusia po përgatitej për një fitore të Hillary Clinton, pasi besonte se mund të bashkëpunonte me të, duke e parë si një presidente më të dobët dhe më të llogaritshme.
Po ashtu, ICA nuk dha asnjë përgjigje për pyetjen se pse Putini nuk publikoi më shumë materiale komprometuese për Clinton, edhe kur sondazhet po ngushtoheshin.
Urdhër për të “prodhuar” një skandal?
Një pjesë tjetër e raportit dhe dëshmive të deklasifikuara tregon se John Brennan kishte informuar Obamën dhe drejtuesit e tjerë të lartë për një plan të hartuar nga një këshilltar i fushatës së Clinton-it për të njollosur Trump-in, duke krijuar idenë e ndërhyrjes ruse si skandal politik.
Sipas dëshmive të deklasifikuara të zyrtarëve të administratës Obama, përfshirë James Clapper, Susan Rice, Loretta Lynch, Samantha Power, Ben Rhodes, etj., asnjëri prej tyre nuk kishte parë prova konkrete për ndonjë komplot, bashkëpunim apo koordinim mes fushatës së Trump-it dhe Rusisë.
Në fakt, shumë prej tyre pranuan nën betim se nuk kishin parë asnjë provë empirike, edhe pse publikisht vijuan të përhapnin narrativën e ndërhyrjes ruse në favor të Trump-it.
Dosja e Steele dhe manipulimi
Një tjetër element kyç ishte përfshirja e të ashtuquajturës “dosje Steele”, e financuar nga fushata e Clinton-it dhe Partia Demokratike përmes një firme ligjore, që përmbante pretendime të pabazuara kundër Trump-it. Brennan dhe Comey, ndonëse ishin në dijeni të origjinës dhe përmbajtjes së dyshimtë të kësaj dosjeje, e përdorën atë si bazë për brifingje zyrtare dhe hetime.
Sot, si Brennan ashtu edhe Comey, janë nën hetim penal nga FBI për rolin e tyre në këtë çështje, pas një kallëzimi penal nga drejtori i mëparshëm i CIA-s, John Ratcliffe./The Fox News
© SYRI.net