Rezervat e gjakut në Portugali kanë pësuar një rënie të ndjeshme gjatë muajve të verës, si pasojë e mungesës së donatorëve që largohen për pushime, paralajmërojnë autoritetet shëndetësore. Situata ka detyruar një nga spitalet më të mëdha të vendit, Spitalin Santa Maria në Lisbonë, të shtyjë disa ndërhyrje kirurgjikale dhe të bëjë thirrje urgjente për dhurime gjaku.
“Rezervat janë të ulëta, siç janë në të gjitha spitalet në Portugali. Ky është një problem për vendin”, deklaroi Álvaro Beleza, drejtor i shërbimit të gjakut në këtë spital. Ai tha se Instituti Portugez i Gjakut dhe Transplantimit (IPST) po transferon gjak nga rajonet e Azoreve dhe Madeirës për të zbutur krizën.
Sipas Belezës, donatorëve u është bërë apel të kontribuojnë përpara nisjes në pushime, pasi të sëmurët dhe ata që kanë nevojë për ndërhyrje urgjente nuk “shkojnë me pushime”.
Ai theksoi se ndonëse operacionet më emergjente nuk rrezikohen, disa ndërhyrje po shtyhen për të ruajtur rezervat për rastet më serioze. Situata është gjithnjë e më e rëndë çdo verë, për shkak të mungesës së dhuruesve në Portugali dhe në gjithë Evropën, ku mungojnë rreth dy milionë dhurime në vit.
Në nivel të Bashkimit Evropian, nevojiten nga 67,000 deri në 70,000 njësi gjaku çdo ditë, por vetëm më pak se 5% e personave të kualifikuar dhurojnë gjak, sipas Aleancës Evropiane të Gjakut.
Beleza ngriti shqetësimin për plakjen e brezit të dhuruesve të rregullt, të cilët pas moshës 65-vjeçare nuk mund të dhurojnë më, ndërsa të rinjtë tregojnë interes të ulët.
Presidentja e IPST-së, Maria Antónia Escoval, vuri në dukje se pas datës 15 korrik situata e mungesës së gjakut rëndohet gjithmonë më shumë, ndërsa institucioni që ajo drejton publikon çdo javë situatën e stokut në internet, për të inkurajuar si dhuruesit e rregullt ashtu edhe ata të rinj që të kontribuojnë.
© SYRI.net