Meta ka lejuar transmetimin e dhjetëra reklamave që kanë mbledhur mbi 2 milionë euro për Forcat Mbrojtëse Izraelite (IDF), duke anashkaluar rregullat e reklamimit të Bashkimit Evropian.
Sipas një analize të re nga grupi ndërkombëtar i avokimit Ekō, të paktën 117 reklama janë publikuar në platformat e Metës nga marsi deri në qershor 2025 nga dy organizata bamirëse me bazë në SHBA, të cilat synuan përdorues në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar për të financuar pajisje ushtarake për IDF-në.
Ekō vlerëson se janë mbledhur rreth 2.4 milionë dollarë (2.05 milionë euro) nëpërmjet këtyre reklamave, duke përfshirë kërkesa për donacione për dronë termikë, jeleke antiplumb, helmeta taktike dhe gjeneratorë për trupat izraelite. Megjithëse Meta i ka hequr disa nga reklamat kur janë raportuar, organizata e të drejtave të njeriut akuzon gjigantin teknologjik se nuk ka marrë masa për të parandaluar ripërsëritjen e tyre nga të njëjtët sponsorë.
Një reklamë e publikuar nga organizata Vaad Hatzedaka përdorte historinë e një rabini për të nxitur donacionet, ndërsa një tjetër nga Chesed Fund ridrejtonte përdoruesit drejt një platforme që i lejonte të blinin pajisje ushtarake për IDF-në. Këto reklama, sipas Ekō, shkelin rregullat e Metës për reklamat që lidhen me çështje politike dhe siguri.
Nën Akti i Shërbimeve Dixhitale (DSA) të BE-së, platformat me mbi 45 milionë përdorues, si Meta, kanë detyrime të qarta për transparencën e reklamave dhe eliminimin e përmbajtjeve të paligjshme, veçanërisht atyre që mund të shkelin ligjet e bamirësisë. Ekō paralajmëron se reklamat që mbledhin fonde për blerjen e pajisjeve ushtarake — veçanërisht për një ushtri që po hetohet për krime lufte — mund të jenë në shkelje të legjislacionit kombëtar në disa vende të BE-së.
Organizata Ekō ka bërë të ditur se do t’ia paraqesë gjetjet e saj Komisionit Evropian, i cili ka të drejtë të nisë një hetim mbi Metën. Nëse konstatohet shkelje e DSA-së, Meta mund të përballet me gjoba deri në 6% të xhiros globale. Deri tani, as Meta dhe as Komisioni nuk kanë komentuar publikisht mbi çështjen.
© SYRI.net