Qeveria britanike ka publikuar detaje të reja mbi planet për të ulur me 40% ndihmën e huaj, duke prekur rëndë mbështetjen për arsimin e fëmijëve dhe shëndetin e grave në Afrikë. Këto shkurtime, të cilat e ulin ndihmën nga 0.5% në 0.3% të të ardhurave kombëtare bruto, janë pjesë e një riorientimi të buxhetit në favor të rritjes së shpenzimeve për mbrojtjen në 2.5%, nën presionin e Shteteve të Bashkuara.
Një raport i Ministrisë së Jashtme britanike paralajmëron se këto shkurtimet do të prekin kryesisht Afrikën, ku do të ketë më pak investime në sistemet e kanalizimeve dhe kujdesin shëndetësor për gratë, me pasoja të rënda si shtim i sëmundjeve dhe vdekjeve. Ndërkohë, financimi për Territoret e Pushtuara Palestineze do të reduktohet me 21%, pavarësisht zotimeve të mëparshme për mbështetje të vazhdueshme.
Organizata Bond, rrjet i organizatave të ndihmës në Mbretërinë e Bashkuar, e ka kritikuar ashpër vendimin, duke theksuar se gratë dhe fëmijët në komunitetet më të cenueshme do të jenë viktimat kryesore të kësaj politike. Drejtori i politikave të Bond, Gideon Rabinowitz, tha se është veçanërisht shqetësuese që po bien financimet për arsimin, çështjet gjinore dhe programet në vendet e prekura nga kriza si Sudani i Jugut, Etiopia dhe Somalia.
Megjithatë, qeveria ka mbrojtur disa kategori financimi, duke ruajtur kontributet për organizata shumëpalëshe si Banka Botërore dhe aleanca e vaksinave Gavi. Ministria e Jashtme ka konfirmuar se Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim (IDA), pjesë e Bankës Botërore, do të marrë 1.98 miliardë paund gjatë tre viteve të ardhshme.
Ministrja për zhvillim, baronesha Chapman, e justifikoi vendimin duke theksuar se “çdo paund duhet të punojë më shumë për taksapaguesit britanikë”, ndërsa një zëdhënës i qeverisë theksoi se shkurtimet vijnë si rezultat i një “rishikimi strategjik rresht pas rreshti” të ndihmës.
Ndërkohë që qeveritë e mëparshme laburiste dhe konservatore kishin rritur ndjeshëm ndihmën e jashtme, duke e çuar në 0.7% të të ardhurave kombëtare në vitin 2013 dhe duke e sanksionuar me ligj në vitin 2015, vendimi i tanishëm shënon një tërheqje të dukshme nga kjo traditë. Kritikët paralajmërojnë se një hap i tillë dëmton ndikimin global të Mbretërisë së Bashkuar dhe rëndon mbi popullsitë më të rrezikuara në botë.
© SYRI.net