Tragjedia e urisë në Gaza: Të paktën 33 palestinezë vdesin nga kequshqyerja në 48 orët e fundit

Tragjedia e urisë në Gaza: Të paktën 33 palestinezë vdesin nga kequshqyerja në 48 orët e fundit

08:12, 23/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Të paktën 33 palestinezë, përfshirë 12 fëmijë, kanë humbur jetën si pasojë e kequshqyerjes në Rripin e Gazës gjatë 48 orëve të fundit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi. Ndërsa 11 të rritur dhe katër fëmijë humbën jetën vetëm gjatë ditës së kaluar, komuniteti ndërkombëtar po përballet me paralajmërime të forta për një katastrofë humanitare në përshkallëzim.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit, deklaroi se “uria po troket në çdo derë” dhe akuzoi Izraelin për pengimin e ndihmave humanitare, duke theksuar se 2.1 milionë banorët e Gazës po përballen me mungesa ekstreme të ushqimit, ilaçeve dhe furnizimeve bazë.

Izraeli, nga ana e tij, ka akuzuar Hamasin për “një fushatë të rreme” lidhur me krizën humanitare dhe ka këmbëngulur se po lehtëson hyrjen e ndihmave duke respektuar ligjin ndërkombëtar. Megjithatë, OKB dhe agjencitë humanitare kanë njoftuar për pengesa të mëdha në shpërndarjen e ndihmave për shkak të armiqësive, mungesës së karburantit dhe kufizimeve të vendosura nga Izraeli.

Pamje tronditëse nga spitalet e Gazës tregojnë trupat e dobësuar të viktimave, përfshirë një foshnjë gjashtëjavor dhe një djalë 13-vjeçar, të cilët nuk arritën të mbijetonin për shkak të mungesës së ushqimit dhe kujdesit mjekësor. Organizata MedGlobal tha se pesë fëmijë të moshës deri në katër vjeç kanë vdekur nga kequshqyerja vetëm gjatë tre ditëve të fundit, duke e cilësuar situatën si “katastrofë e qëllimshme”.

Sipas OKB-së, Gaza ka nevojë për të paktën 600 kamionë ndihma në ditë, por vetëm një mesatare prej 27 po lejohen të hyjnë. Në terren, raportohen edhe viktima civile gjatë shpërndarjes së ndihmave, ndërsa sistemi alternativ i shpërndarjes i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli është refuzuar nga agjencitë ndërkombëtare si joprofesional dhe jo i sigurt.

Që nga fillimi i konfliktit më 7 tetor 2023, kur Hamasi kreu një sulm në jug të Izraelit, më shumë se 59,000 palestinezë janë vrarë në Gaza, sipas të dhënave të fundit të Ministrisë së Shëndetësisë së territorit. Ndërkohë, Organizata Botërore e Shëndetësisë ka konfirmuar se operacionet ushtarake izraelite kanë dëmtuar edhe depot dhe strehimet e stafit të saj në Deir al-Balah, duke paralizuar përpjekjet për ndihmë mjekësore.

Krizës së urisë i është shtuar tani edhe rreziku i kolapsit total të sistemit humanitar. “Po shohim gllënjkën e fundit të një sistemi humanitar të ndërtuar mbi parime”, paralajmëroi Guterres, duke theksuar se shpresat për një përgjigje të koordinuar ndërkombëtare po zbehen çdo ditë që kalon.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco