Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Mike Johnson, njoftoi një pushim të parakohshëm të seancës, duke penguar përpjekjet për të detyruar publikimin e dokumenteve që lidhen me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein.
Ky veprim vonon një votim të tensionuar politikisht mbi këtë çështje deri në shtator, mes presionit në rritje dypartiak për transparencë. Ky veprim vjen pas një votimi kyç të komisionit për të thirrur Ghislaine Maxëell, bashkëpunëtoren e gjatë të Epstein, për të dëshmuar para Kongresit.
Thirrjet për të deklasifikuar dosjet që lidhen me Epstein janë intensifikuar kohët e fundit, përfshirë edhe nga mbështetësit e Presidentit Donald Trump.
Më herët të martën, departamenti i drejtësisë i SHBA-së kërkoi një takim me Maxëellin për ta pyetur "Çfarë dini ju?".
Ekipi ligjor i Maxëell i tha BBC-së se ishin në diskutime me qeverinë, dhe se ajo "gjithmonë do të dëshmonte me të vërtetë".
Në Capitol Hill të martën, përballë presionit në rritje si nga demokratët ashtu edhe nga disa republikanë për të detyruar një votim për publikimin e dosjeve të lidhura me Epstein brenda 30 ditëve, Johnson shpalli pushimin një ditë më herët se sa ishte planifikuar.
Dhoma tani nuk pritet të mblidhet përsëri deri në shtator.
Johnson e mbrojti vendimin, duke akuzuar demokratët për "lojëra politike". "Kemi mbaruar së na dhëni leksione mbi transparencën", tha ai.
Vendimi për të përshpejtuar pushimet verore i jep Johnsonit kohë për të riparuar çarjet brenda partisë Republikane, mbi mënyrën e menaxhimit të zbulimeve në rastin Epstein.
Pjesë të lëvizjes së Trumpit “Ta bëjmë Amerikën të madhe përsëri” (Maga) janë zemëruar nga përfundimi i departamentit të drejtësisë dhe i FBI-së më 6 korrik, se Epstein nuk kishte një të ashtuquajtur listë klientësh që mund të implikonte bashkëpunëtorë të profilit të lartë dhe se ai i mori jetën vetes.
Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm Todd Blanche, i cili më parë shërbeu si avokat personal i Trump në gjyqin e tij penal të vitit 2024, tha se vlerësimi "mbetet i saktë".
Deklarata e tij vuri në dukje se një shqyrtim i kohëve të fundit dhe i plotë i të dhënave të FBI-së, në lidhje me rastin Epstein nuk zbuloi "asnjë provë për të mbështetur një hetim kundër palëve të treta të paakuzuara"./ BBC.
© SYRI.net