Një infermiere për pacientët me kancer, ka dërguar një mesazh në WhatsApp për BBC. Nëna e 4 fëmijëve e quan një “thirrje për mbijetesë” nga Gaza.
Njerëzit në Gaza po përshkruajnë përpjekjet e tyre të dëshpëruara për të siguruar ushqim dhe ndihma jetike, ndërsa Kombet e Bashkuara dënojnë sistemin e ri të shpërndarjes së ndihmave të mbështetur nga Izraeli.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi në Gaza, rreth 33 persona – përfshirë 12 fëmijë – kanë vdekur nga kequshqyerja vetëm gjatë 48 orëve të fundit.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut deklaron se mbi 1,000 njerëz janë vrarë gjatë përpjekjeve për të siguruar ushqim që nga 27 maji, kur Izraeli vendosi sistemin e ri të ndihmës. Nga ana tjetër, Izraeli pretendon se ky sistem është i nevojshëm për të parandaluar që ndihmat të përfundojnë në duart e Hamasit.
Izraeli nuk lejon BBC-në dhe mediat ndërkombëtare të raportojnë lirshëm nga Gaza.
Mesazhi
“Shoh pacientët me kancer – kryesisht gra – të cilat vdesin njëra pas tjetrës, Jo vetëm nga sëmundja, por sepse trajtimi me kimioterapi bëhet në trupa të rraskapitur nga uria.”
Një nga gjërat që dëgjoj më shpesh në punë nuk është ‘kam dhimbje’, por: ‘jam e uritur’.
Shumica e barnave bazë për kimioterapi dhe qetësuesit mungojnë.
Bëjmë gjithçka që mundemi, por kemi kaq pak për të ofruar. I shohim teksa shuhen para syve… dhe e mbajmë këtë dhimbje me vete çdo ditë
Uria po vret më shpejt se vetë sëmundja. Për herë të parë në jetën time ndihem plotësisht e pafuqishme. Nuk mund t’u jap as një copë bukë fëmijëve të mi, e as ndihmën që kanë nevojë pacientët e mi.
Ne, ekipet mjekësore, po rrëzohemi nga lodhja dhe uria. Qëndrojmë në këmbë për orë të tëra pa ngrënë as edhe një vakt. Shumë prej nesh kanë rënë pa ndjenja, por detyra nuk na lejon të largohemi. Nuk mund t’u kthejmë shpinën pacientëve, edhe kur trupat tanë po na dorëzohen.
Kjo është jeta ime çdo ditë. Një nënë me fëmijë të uritur. Një infermiere e rrethuar nga gra që po vdesin. Një qenie njerëzore e mbetur në një vend që bota duket se e ka harruar.
Le të mësojë bota çfarë po ndodh këtu – jo si një lajm, por si një thirrje për mbijetesë.
© SYRI.net