Lituania akuzon Rusinë për ndërhyrje të qëllimshme në sinjalet GPS nga Kaliningradi

Lituania akuzon Rusinë për ndërhyrje të qëllimshme në sinjalet GPS nga Kaliningradi

14:24, 22/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Autoritetet lituane ngrenë alarmin për një valë ndërhyrjesh të qëllimshme në sistemet GPS që po vijnë nga enklava ruse e Kaliningradit, duke përbërë një rrezik serioz për sigurinë ajrore dhe stabilitetin rajonal. Sipas raportimeve të Shërbimit të Lajmeve Baltike (BNS), pilotët në Lituani raportuan 1,022 raste të ndërprerjeve në komunikimet GPS vetëm në muajin qershor, një rritje drastike nga 46 raste në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Darius Kuliešius, nënkryetar i Autoritetit Rregullator të Komunikimeve, deklaroi se janë identifikuar mbi dhjetë burime të këtyre ndërhyrjeve brenda territorit të Kaliningradit. Nga ana e saj, Ministria e Transportit e Lituanisë paralajmëroi se fenomeni prek jo vetëm vendin e tij, por edhe Letoninë, Estoninë, Poloninë, Suedinë dhe Finlandën. Estonia dhe Finlanda e kanë dënuar publikisht këtë praktikë, duke e konsideruar si një formë të re të luftës hibride.

Ministri Eugenijus Sabutis u shpreh se Bashkimi Evropian duhet të kuptojë se “këto ndërhyrje nuk do të zhduken” dhe se Rusia, së bashku me Bjellorusinë, do të vazhdojnë të veprojnë në mënyrë keqdashëse. Ndërkohë, 13 vende anëtare të BE-së kanë kërkuar ndërhyrje të menjëhershme nga Komisioni Evropian për të trajtuar ndërhyrjet në sistemet GNSS.

Përkundër akuzave, Kremlini mohon çdo përfshirje. Por agjencitë ndërkombëtare, përfshirë ICAO-n, kanë paralajmëruar se këto veprime përbëjnë një “kërcënim serioz” për sigurinë e fluturimeve civile, veçanërisht në hapësirën ajrore të Detit Baltik.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco