Një rrjet i sofistikuar kriminal i përfshirë në trafikimin dhe shfrytëzimin seksual të grave është goditur nga policia spanjolle, e cila ka shpëtuar 162 gra dhe ka arrestuar 37 persona në një operacion të gjerë në shtatë provinca të vendit. Të martën, autoritetet konfirmuan shkatërrimin e organizatës që rekrutonte gra, kryesisht nga Amerika e Jugut, të cilat pastaj detyroheshin të prostituoheshin në kushte ekstreme.
Sipas hetuesve, viktimat josheshin në Spanjë përmes ofertave të rreme për punë dhe më pas, për shkak të mungesës së dokumenteve qëndrimi, përfundonin në duart e rrjetit, që i detyronte të punonin në ambiente të maskuara si sallone masazhi. Ato kontrolloheshin përmes kamerave të sigurisë dhe lejoheshin të dilnin jashtë vetëm për dy orë në ditë. Shumë prej tyre transportoheshin nga një qytet në tjetrin për të shërbyer klientëve.
Operacioni përfshiu bastisje në provincat e Valencias, Alicante, Castellón, Barcelonës, Malagës, Murcias dhe Tarragonës, ku policia sekuestroi 141,000 euro para cash, tre automjete, pasuri të paluajtshme, kompjuterë dhe dokumente që përmbajnë të dhëna për aktivitetin kriminal. U ngrinë gjithashtu mbi 60 llogari bankare të lidhura me rrjetin.
Zbulimi i rrjetit nisi pas denoncimit të tre grave që arritën të arratiseshin dhe informuan autoritetet. Hetimi vuri në dukje një strukturë të mirëorganizuar që përfshinte drejtuesit e rrjetit, pronarë pronash, menaxherë, shoferë dhe trafikantë të drogës. Paralelisht, Agjencia Tatimore spanjolle ka hapur një hetim për pastrim parash dhe ka zbuluar fletore dhe dokumentacion financiar që përmbajnë të ardhura të detajuara të secilës “pronë”.
Kjo është goditja e dytë e madhe kundër rrjeteve të trafikimit seksual në Spanjë këtë vit. Në shkurt, autoritetet çmontuan një tjetër organizatë që kishte shfrytëzuar mbi 1,000 gra nga Venezuela dhe Kolumbia, të cilat u mashtruan me oferta për punë në sallone bukurie dhe pastrime, por u detyruan të ofronin shërbime seksuale.
© SYRI.net