Bangladeshi po mban një ditë zie kombëtare pas një aksidenti tragjik ku një avion luftarak F-7 u përplas në Shkollën dhe Kolegjin Milestone në Daka, duke vrarë të paktën 27 persona, shumica prej tyre studentë.
Përplasja ndodhi menjëherë pas ngritjes së avionit nga një bazë e Forcave Ajrore të vendit, ku sipas autoriteteve avionit i është paraqitur një defekt mekanik. Piloti, Flight Lieutenant Md. Taukir Islam, i cili u përpoq ta drejtonte avionin larg zonave me njerëz, është njëri prej të vrarëve.
Viktimat ishin kryesisht nxënës që sapo kishin dalë nga mësimi, ndërsa mbi 170 persona të tjerë u plagosën, shumica me djegie të rënda nga karburanti i avionit. Shumë prej tyre janë ende në gjendje kritike në spitalet e Dakës. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë punonjës të emergjencës që kërkojnë për të mbijetuar nën rrënojat e djegura.
Ky është aksidenti më fatal i aviacionit në Bangladesh në dekada, ndërsa autoritetet kanë formuar një komision hetimor për të përcaktuar shkaqet e përplasjes. Kryeministri i vendit dhe udhëheqës të tjerë rajonalë kanë shprehur ngushëllimet për familjet e viktimave.
Në ndërkohë, spitalet janë mbushur me familjarë dhe vullnetarë, ndërsa autoritetet kanë hapur linja emergjente dhe kanë bërë thirrje për shmangien e grumbullimeve për të lehtësuar punën e mjekëve.
Ngjarja tronditi kryeqytetin dhe solli dhimbje të thellë në gjithë vendin, që përballet me humbjen më të madhe në një aksident ajror që nga viti 1984.
© SYRI.net