Irani, Rusia dhe Kina do të zhvillojnë një takim të martën për të diskutuar mbi programin bërthamor të Teheranit dhe kërcënimet për rivendosjen e sanksioneve ndërkombëtare, konfirmoi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei.
Ky takim vjen në prag të bisedimeve që Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar – të njohura si vendet E3 – do të mbajnë të premten në Stamboll, mes paralajmërimeve për rivendosjen e masave ndëshkuese ndaj Iranit.
Shtetet evropiane janë shprehur se do të aktivizojnë mekanizmin e “rikthimit” të sanksioneve nëse nuk arrihet progres në çështjet bërthamore deri në fund të gushtit. Marrëveshja e vitit 2015, e cila kufizonte programin bërthamor të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve, nisi të dështonte në vitin 2018, kur Shtetet e Bashkuara të drejtuara nga Presidenti Donald Trump u tërhoqën dhe rivendosën sanksione të njëanshme. Që atëherë, Irani ka shtuar ndjeshëm pasurimin e uraniumit deri në 60%, shumë pranë nivelit të nevojshëm për prodhimin e armëve bërthamore.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një letër drejtuar OKB-së, akuzoi vendet evropiane për mosrespektim të marrëveshjes dhe u shpreh se ato “nuk kanë asnjë qëndrim ligjor, politik apo moral” për të kërkuar rikthimin e sanksioneve. Ndërkohë, Baghaei theksoi se Teherani po bashkërendon vazhdimisht me Pekinin dhe Moskën për të shmangur ose zbutur efektet e mundshme të këtij mekanizmi.
Ai deklaroi gjithashtu se nuk ka ndonjë plan për rinisjen e dialogut me Shtetet e Bashkuara, në rrethanat aktuale. Bisedimet e kësaj jave do të zhvillohen pas përshkallëzimit të tensioneve në rajon, pas një konflikti 12-ditor midis Iranit dhe Izraelit, ku SHBA-të goditën tre objekte bërthamore në Iran dhe rreth 1,100 njerëz humbën jetën.
Irani ka këmbëngulur se programi i tij bërthamor është vetëm për qëllime paqësore. “Axhenda është e qartë: heqja e sanksioneve dhe çështjet që lidhen me programin bërthamor paqësor të Iranit,” deklaroi Baghaei.
© SYRI.net