Mbi 100 protestues, disa me flamuj të Anglisë dhe thirrje si “Shpëtoni fëmijët tanë” dhe “Dërgojini në shtëpi”, u mblodhën të dielën në mbrëmje përpara Hotel Bell në Epping, ku janë strehuar azilkërkues, duke shkaktuar tensione dhe dhunë të përsëritur.
Protesta, e dyta brenda katër ditësh në të njëjtin vend, u përshkallëzua gjatë natës, me hedhje fishekzjarrësh dhe sendesh ndaj furgonëve të policisë, e cila kishte rrethuar zonën.
Policia e Essex arrestoi gjashtë persona, katër prej të cilëve lidhen me trazirat e mëparshme të së enjtes, ku u plagosën tetë efektivë. Kundër një protestueseje u ndërhy fizikisht nga oficerët për ta larguar, pasi ajo u rrethua nga turma. Shefi i Mbikëqyrjes, Simon Anslow, dënoi ashpër dhunën dhe paralajmëroi se autoritetet nuk do të tolerojnë “sjellje banditeske”.
Shkak për trazirat besohet të jetë arrestimi i një azilkërkuesi 38-vjeçar, i cili akuzohet për një tentativë sulmi seksual ndaj një vajze 14-vjeçare. Ai ndodhet në paraburgim dhe i mohon akuzat. Në përgjigje të rrezikut, policia vendosi urdhër për largimin e protestuesve nga zona përreth hotelit, që mbeti në fuqi deri në orën 4 të mëngjesit të hënën.
Ndërkohë, Këshilli i Distriktit të Epping Forest dënoi aktet e dhunshme, por theksoi se kishte kundërshtuar prej kohësh vendimin për strehimin e azilkërkuesve në Hotel Bell, të cilin e konsideron të papërshtatshëm.
Protestat në Epping ndjekin një valë trazirash në rritje në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa pakënaqësia me politikat e qeverisë për strehimin e azilkërkuesve po ushqen tensione lokale dhe incidente të dhunshme, të shpesh të nxitura nga dezinformata dhe frikë sociale. Kryeministri Keir Starmer ka dënuar valën e dhunës së kaluar si “sulm të ekstremit të djathtë” dhe ka kërkuar masa të menjëhershme për mbrojtjen e rendit dhe sigurisë.
© SYRI.net