Një avion luftarak britanik i teknologjisë së fundit, F-35B, që kishte mbetur i bllokuar në një aeroport në Indinë jugore për më shumë se pesë javë, pritet të niset të martën.
Avioni, pjesë e flotës së anijes së Marinës Mbretërore HMS Prince of Wales, u ul më 14 qershor në aeroportin Thiruvananthapuram në shtetin e Keralës, pasi u përball me mot të keq gjatë një fluturimi në Oqeanin Indian dhe më pas pati një defekt teknik.
“F-35B do të tërhiqet nga hangari sot dhe nisja është planifikuar për të martën,” deklaroi një zëdhënës i aeroportit për BBC-në, duke shtuar se nuk janë dhënë detaje teknike. Gjatë javëve në vijim, prania e avionit modern në tokën indiane ngjalli kureshtje dhe pyetje mbi qëndrueshmërinë e teknologjisë së përparuar në kushte reale operacionale.
Fillimisht, inxhinierë nga bordi i HMS Prince of Wales u përpoqën ta riparonin avionin, por pa sukses. Më pas, një ekip i specializuar prej 14 inxhinierësh u dërgua nga Mbretëria e Bashkuar në Indinë jugore për të realizuar vlerësimin teknik dhe riparimin e nevojshëm. Ata mbërritën me pajisje të posaçme që ndihmuan në zhvendosjen dhe servisim e avionit, i cili qëndroi për ditë të tëra në një hangar në aeroport.
Imazhet e avionit të parkuar i vetëm nën shirat musonikë u përhapën me shpejtësi në rrjetet sociale, duke e kthyer rastin në një objekt humori dhe memesh, ku përdoruesit bënin shaka se avioni “nuk donte të largohej nga Kerala” – një shtet i njohur për bukuritë natyrore, shpesh përshkruar në broshurat turistike si “vendi i Zotit”.
Spekulimet ishin të shumta për fatin e avionit, përfshirë mundësinë që ai të çmontohej dhe të transportohej me një avion të madh mallrash si C-17 Globemaster. Por të hënën, një zyrtar i aeroportit konfirmoi për BBC se “avioni është i aftë të fluturojë”, ndërsa sqaroi se nisja e tij është planifikuar për të martën, megjithëse orari dhe detajet për karburant apo kthimin e pajisjeve nuk janë bërë ende publike.
F-35B, i ndërtuar nga Lockheed Martin, është një nga avionët luftarakë më të sofistikuar në botë, me aftësi për ngritje të shkurtër dhe ulje vertikale. Vlera e tij vlerësohet në rreth 110 milionë dollarë, dhe rasti i bllokimit të tij u ngrit edhe në Dhomën e Komunave në Britani, duke u bërë një çështje jo vetëm ushtarake, por edhe politike.
© SYRI.net