Lajmi i fundit

LIVE/ 13 ditë protesta para Kryeministrisë, qytetarët kërkojnë dorëheqjen e Ramës

Mbante një gjerdan të rëndë metalik, një shtetas humb jetën pasi u thith nga aparati i rezonancës magnetike

Mbante një gjerdan të rëndë metalik, një shtetas humb jetën pasi u thith nga aparati i rezonancës magnetike

07:38, 21/07/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Një ngjarje tragjike ka ndodhur në një qendër mjekësore në Long Island të Nju Jorkut, ku një burrë 61-vjeçar humbi jetën pasi u tërhoq me forcë nga një aparat rezonance magnetike (MRI), ndërsa mbante në qafë një gjerdan të rëndë metalik.

Burri, i cili nuk është identifikuar zyrtarisht nga autoritetet, hyri në dhomën e skanimit në Nassau Open MRI në Westbury pa leje, në kohën kur pajisja ishte në funksion.

Sipas Policisë së Qarkut Nassau, viktima mbante një zinxhir metalik të rëndë rreth qafës, çka bëri që ai të thithej fuqishëm drejt makinës MRI, duke shkaktuar një “incident mjekësor”. Ai u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti t’i mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë të enjten.

Adrienne Jones-McAllister, e cila ka deklaruar për mediat lokale se viktima ishte bashkëshorti i saj, Keith, rrëfeu momentet dramatike të ngjarjes. Ajo tregoi se i kishte kërkuar atij të hynte në dhomë për ta ndihmuar pas skanimit që po kryente në gju, dhe se ai mbante një zinxhir 9 kilogramësh me dryn që e përdorte për stërvitje.

“Ai më përshëndeti me dorë dhe pastaj i gjithë trupi i tij u dobësua,” u shpreh ajo me lot në sy për stacionin televiziv News 12 Long Island. “Në atë çast, aparati e ndërroi pozicionin, e tërhoqi brenda dhe ai u fut në rezonancën magnetike.”

Ajo shtoi se tekniku u përpoq ta ndihmonte burrin, ndërsa vetë ajo i bërtiste që të fiknin makinën dhe të thërrisnin ambulancën.

Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka paralajmëruar më herët se pajisjet MRI prodhojnë fusha shumë të forta magnetike, të cilat mund të tërheqin objekte metalike me fuqi të madhe, duke i kthyer ato në rrezik për jetën.

Ky nuk është rasti i parë i ngjashëm: në vitin 2001, një djalë gjashtëvjeçar vdiq në një qendër mjekësore në New York City pasi një bombol oksigjeni u tërhoq me shpejtësi drejt makinës MRI dhe e goditi në kokë, duke i shkaktuar një frakturë fatale në kafkë.

Ngjarja e fundit ka ngritur shqetësime të reja për sigurinë dhe për nevojën për respektimin rigoroz të protokolleve në ambientet ku përdoren teknologjitë e rezonancës magnetike.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco